Akademiku Artan Fuga e ka konsideruar si krim vendimin e njoftuar nga kryeministri Edi Rama që fillimisht do të vaksinohen të moshuarit personalitete. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fuga shprehet ndër të tjera se marrja e përgjegjësisë për vdekjen e kujtdo tjetër, do te ishte eugjenizëm i tipit hitlerian.
Sipas akademikut, jeta e njeriut vlen njësoj, si e atij që ka punuar 40 vjet në minierë, si e novelistit.
“Kush përcakton se kush do të vdesë ose kush do të jetojë me kritere meritash shoqërore është një i marrë që merr rolin e Zotit, është një i rrezikshëm që duhet lidhur”, shkruan Fuga mes të tjerash.
Komenti i plotë:
Vaksinimi me prioritet i te ashtuquajturve personalitete do te ishte nje krim, një genocid, një marrje pergjegjesie për vdekjen e kujtdo tjetër, do te ishte nje eugjenizem i tipit hitlerian, jeta e njeriut vlen njësoj, si e atij që ka punuar 40 vjet në minierë, si e nobelistit, si e një njeriu që e ka kaluar jetën në burg, si e një njeriu që jeta e la pa shkollë, por është një gjyshe e dashur.
Kriteri i moshës, ose ndonjë tjetër është tjetër gjë, por jo për merita pune, lufte, apo për budallalliqe të kësaj natyre.
Pa le na thonë se ata personalitetet do të na bindin neve të bëjmë vaksinën!!! A thua se problemi aty është se nuk bindet njeriu të bëjë vaksina. Ku janë vaksinat për popullsinë? Problemi është këtu. Asnjë popull në Evropë nuk po i rreziston vaksinës kur ajo i vjen rregullisht dhe e konrtrolluar.
Nuk janë personalitetet që bindin!
Kush përcakton se kush do të vdesi ose kush do të jetojë me kritere meritash shoqërore është një i marrë që merr rolin e Zotit, është një i rrezikshëm që duhet lidhur. E kap edhe kodi penal veç të tjerash. Thirrini mendjes o personalitete!
g.v/abcnews.al