Nga Erneta Shevroja
Ardhja e 975 dozave vaksine anti-Covid ishte një vendim i papritur që u komunikua në fundjavë nga kryeministri Edi Rama në limitet e fundit kohore. E vetmja e dhënë që u bë publike ishte sasia e dozave, ndërsa vendi nga erdhën mbeti sekret. U mjaftua me faktin që janë donacion nga një vend mik i Bashkimit Europian.
Por sekret nuk do të jenë vetëm dozat e para. Qeveria shqiptare ka marrëveshje për ta mbajtur sekret tregtar edhe pjesën tjetër të vaksinave anti-covid, që do të vijnë në Shqipëri gjatë javëve në vijim.
Kjo është zbuluar nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të datës 13 janar, ku është është ku është diskutuar mbi aktin normativ të marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë prodhuese të vaksinës.
Referuar procesverbalit të asaj mbledhjeje, kryeparlamentari Ruçi u ka qartësuar deputetëve që marrëveshja është e panegociueshme dhe është kërkuar që të ruhet si konfidenciale. Që do të thotë se, përmbajtja e marrëveshjes nuk do të publikohet në asnjë faqe zyrtare të institucioneve, siç ndodh zakonisht.
“Kjo marrëveshje është e panegociueshme dhe është kërkuar, që marrëveshja të lidhet me konfidencialitetin, pra është sekret. Pra, kërkon mospublikimin e marrëveshjes për shkak të sekretit tregtar, që kjo marrëveshje të mos publikohet, duke filluar që nga mjetet e shtypit apo faqet e Kuvendit, siç është rasti konkret dhe deri te Fletoren Zyrtare”
Deputetët e parlamentit kanë autorizimin për ta lexuar tekstin e marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin, por siç u ka thënë Ruci, e kanë të ndaluar të nxjerrin përmbajtjen.
“Sigurisht, deputetët nuk do të votojnë qorrazi. Marrëveshja do të jetë e depozituar si marrëveshje sekret, brenda të gjitha rregullave që përbën sekreti dhe konfidencialiteti i gjërave. Deputetët do të vinë, kush është i interesuar, të njihet me marrëveshjen në komisionin përkatës, duke pasur një kopje atje”
Në mbledhje drejtuesit e Komisioneve parlamentare nuk kanë shprehur kundërshtim për sekretin e vaksinës. Aktualisht si grupe prioritare për t’u vaksinuar janë stafet mjekësore të spitaleve Covid dhe më pas janë renditur të moshuarit./mv.abcnews.al