Myrto Uzuni është padyshim shqiptari më në formë i kësaj faze të parë të sezonit. Beratasi la Lokomiva Zagreb në verën e shkuar dhe kaloi në Hungari te Ferencvaros, ku ka shkëlqyer dhe është shndërruar në një nga më të mirët e sezonit.
Deri më tani beratasi ka shënuar 7 gola dhe 7 asiste, teksa tashmë është shënjestër e klubeve më të mëdha. Së fundmi ai foli për Supersport dhe preku disa çështje kryesore.
FORMA E MIRË- “Për Lokomotivën e Zagrebit ishte histori që arritëm në vend të dytë. Kisha shumë oferta në merkato dhe bashkë me menaxherin tim vendosëm të firmosnim me Ferencvarosin, pasi doja të luaja më shumë. Ishte diçka që mungonte dhe mendoj se do të fitojmë titullin kampion. Fituam ndaj një rivalI direkt dhe shënova gol”.
E ARDHMJA – ”Ndihem shumë mirë te Ferencvaros, klubi po më lejon të shënoj edhe penallti. I kam thënë menaxherit se dua të shënoj 15 gola dhe 10 deri në fund e më pas të mendojmë për të ardhmen. Jam krenar për veten time që kam shënuar në 5 ndeshje radhazi dhe më vjen keq që nuk arrita të thyeja rekordin me 6 gola radhazi”.
KOMBËTARJA – “Për çdo lojtar është maja e karrierës që të luash në kombëtare dhe luaj në çdo pozicion që më vendos trajneri. Këtu në qytet më njohin të gjithë dhe më përshëndesin. Skema që më përshtate më shumë është 4-3-3 ose 4-2-3-1. Për kombëtaren nuk kam çfarë të them, pasi vendos trajneri dhe unë luaj ku do të dojë trajneri”.
MOMENTET EMOCIONUESE – “Kanë qenë dy momente. Kombëtarja ka qenë një emocion i veçantë sepse ka qenë ëndërr. Gjithashtu edhe goli ndaj Juventusit sepse shënova përpara syve të Ronaldos, idhullit tim. Nuk e prisja të shënoja, arrita përpara Cuadrados dhe e dërgova në rrjetë”, përfundoi ylli i kombëtares kuqezi. /abcnews.al