Padyshim që nuk ishte i vetmi. Myrto Uzuni gjithsesi u cilësua si një protagonist i madh i ndeshjes çerekfinale të Kupës së Hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që skuadra e tij, Ostin, më në fund e fitoi ndaj rivalit San Hoze.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi dy penallti në duelin që përfundoi 2-2, për të cilin u deshën 120 minuta dhe pastaj seria e 11-metërshave.
Kontributi konkret i Uzunit nisi pas 90 minutave të rregullta që përfunduan 1-1, me gola të shënuar nga Arango në minutën e 12-të për San Hozenë, dhe nga Brandon Vaskez për miqtë në minutën e 65-të.
Gjatë dy kohëve shtesë, San Hoze kaloi sërish përpara pasi Kikanoviç realizoi në një rrëmujë në zonë, dhe u duk se vendasit do t’ia dilnin.
Jo më kot ata luajtën më mirë, me plot 27 gjuajtje ndaj vetëm 12 të ekipit të shqiptarit.
Pesë minuta para fundit, Ostin fitoi një tjetër 11-metërsh, të cilin e mori përsipër pikërisht Uzuni.
Ylli kuqezi nuk gaboi, dhe shënoi edhe penalltinë e tij në serinë e 11-metërshave. Kjo seri përfundoi 4-2 për skuadrën nga Teksasi.

