Champions League dhuroi ndeshje spektakolare një ditë më parë dhe pritshmëritë janë të mëdha edhe për ditën e sotme, duke pasur parasysh se në fushë zbresin ekipe si Barcelona, Juventus, Dortmund dhe PSG.
Nuk mungojnë as shqiptarët. Thomas Strakosha nuk ka fluturuar drejt Rusisë me Lazion që të ndeshet me Zenit, por Inzaghi ka në skuadër Vedat Muriqi dhe në dispozicion portierin Marco Alia. Kjo sfidë luhet në orën 18:55, sikurse edhe Basaksehir-Manchester United.
Myrto Uzuni, sikurse Cristiano Ronaldo, e ka kaluar koronavirusin dhe një ditë më parë u stërvit me skuadrën e tij normalisht. Gjithsesi nuk dihet nëse do të luajë sonte, pasi prej dy javësh ka qenë në karantinë. Ferencvaros përballet me Juventusin në Hungari, në një stadium ku do të lejohen 20 mijë tifozë për të sfiduar kampionët e Italisë.
Barcelona, rivale e Juves në grup, do kërkojë fitoren e tretë kundër Dynamo Kiev. Sonte luan edhe Chelsea, që triumfin kundër Rennes e ka detyrim sonte. Sevilla-Krasnodar është një tjetër sfidë e mbrëmjes në Champions.
Rikthehet gjysmëfinalja e sezonit të shkuar, teksa në Gjermani RB Leipzig pret kampionët e Francës, PSG-në. Një sfidë për t’u parë, me skuadrën e Tuchel që shikohet si favorite. Dortmund është klubi tjetër “big” që luan sonte, në transfertë kundër Club Brugge. / abcnews.al