Uzuni “mbret” në Kroaci, edhe Mersinaj mes yjeve të javës

schedule08:36 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 08:36 - 5 Dhjetor, 2019

Dy shqiptarë kanë shkëlqyer në fundjavë në kampionatin kroat. Myrto Uzuni dhe Jon Mersinaj janë përfshirë për herë të parë këtë sezon në formacionin më të mirë të javës, të publikuar nga Telesport.hr, që i referohet të dhënave të programit Instat Sport.

Uzuni e ka marrë me vrull, teksa jo vetëm është përfshirë në formacionin më të mirë, por është shpallur edhe lojtari më i mirë me një vlerësim nga Instat Sport me indeksin 371. Gol, asist dhe katër gjuajtje në portë nga beratasi, i cili ka qenë i saktë edhe me pasimet: 32 nga 37. Anësori ka realizuar me sukses dy driblime dhe vetëm në një rast nuk e ka shmangur kundërshtarin.

Sa i takon shifrave të Mersinajt, ai ia ka dalë të realizojë me sukses 62 nga 70 pasimet e tentuara, ndërkohë që në shtatë duele ka humbur vetëm një. Mbrojtësi ka tentuar të bëjë edhe një driblim, që nuk e ka kryer me sukses.

Ish-lojtari i Laçit ka ndalur shtatë aksione të kundërshtarit, një prej tyre në gjysmëfushën e tyre. Të gjitha këto e kanë përfshirë mbrojtësin mes yjeve të javës së 17-të në kampionatin kroat. /abcnews.al

Formacioni më i mirë i javës së 17-të në kampionatin kroat (Fotot: Telesport.hr)

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!