Uzuni: Harrojini grindjet, Ferencvaros si familje. Rebrov? Më i miri, jemi njësoj

schedule22:20 - 29 Janar, 2021

schedule 22:20 - 29 Janar, 2021

Myrto Uzuni është një nga futbollistët shqiptarë më në formë. 25-vjeçari nga Berati gjeti golin e radhës me Ferencvaros të mërkurën. Kampionët në fuqi të Hungarisë fituan 0-3 takimin e fundit në fushën e Budofaki.

Sfidën e zhbllokoi pikërisht Uzuni, i cili ktheu në gol një penallti në minutën e 25-të. Ky ishte goli i katërt në kampionat për sulmuesin dhe i shtati në total për këtë sezon, duke llogaritur edhe tre realizimet në Champions.

Uzuni, i cili u transferua gushtin e kaluar nga Lokomotiva e Zagrebit te Ferencvaros për shumën e 1.8 milion eurove, ka dhënë një rrëfim për mediat hungareze, aty ku flet rreth penalltisë të cilën e shndërroi në gol dhe trajnerit Serhiy Rebrov.

Penalltitë te ne i gjuan Ihor Haratin. Unë iu afrova dhe e pyeta nëse mund të godisja unë. Më pa që isha i vendosur dhe më tha: nëse ke besim se do të shënosh, atëherë gjuaj. Harrojini grindjet tek ekipi ynë. Shokët e skuadrës i shoh si pjesëtarë familje.

Dhomat e zhveshjes janë si shtëpia ime e dytë dhe është zakon që të mos dëmtosh apo lëndosh pjesëtarët e familjes. Kemi një qëllim të përbashkët të gjithë. Rebrov? Ai është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar.

Kemi mentalitet të njëjtë, jemi tipa që nuk kënaqemi kurrë. Njësoj si ai, edhe unë kërkoj gjithmonë e më shumë nga vetja. Ardhja te Ferencvaros verën e kaluar ishte vendimi më i mirë që mora. Këtu janë të gjithë profesionistë.

Budapesti është një qytet i bukur, kjo ka rëndësi të madhe. Gjithçka që më rrethon është e bukur, një gjë e tillë më ndihmon shumë të shijoj çdo moment dhe të luaj futbollin tim më të mirë“, përfundoi Myrto Uzuni. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!