Uzuni: Forma e mirë më riktheu, Reja nuk mund ta bëjë këtë gjë

schedule13:11 - 11 Nëntor, 2019

schedule 13:11 - 11 Nëntor, 2019

Myrto Uzuni mungoi në ndeshjet kundër Turqisë dhe Moldavisë. Sulmuesi beratas është rikthyer te lojërat e mira me Lokomotivën e Zagrebit dhe te… kombëtarja. 24-vjeçari ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjeve me Andorrën dhe Francën, aty ku prek disa tema të ndryshme.

RIKTHIMI – “Është tjetër klubi tjetër kombëtarja, pasi ndjehesh krenar që përfaqëson këto ngjyra dhe mezi e prisja ftesën e radhës. Isha duke punuar fort dhe prisja ftesën e radhës”.

FORMA – “Ndihem shumë mirë, jam aktivizuar çdo ndeshje 90 minuta me Lokomotivën, kam asistuar, kam shënuar. Jam në formacion dhe besoj se jam në formë shumë të mirë”.

AKTIVIZIMI – “Normalisht që dua të luaj në të dyja sfidat, por duhet t’i tregoj trajnerit në stërvitje që jam i gatshëm”.

MUNGESA NË KOMBËTARE – “Me të thënë të drejtën, jo zhgënjim, por nuk jam ndjerë mirë vetë përbrenda. Jam shumë i lumtur që u riktheva. Trajneri Reja më thirri pasi ka parë që po aktivizohesha shumë mirë te Lokomotiva e Zagrebit. Trajneri nuk mund t’i japë llogari lojtarit pse nuk e thërret, më kupton? Thjeshtë ne duhet të bëjmë më të mirën në fushën e lojës, ftesa është aty nuk mungon”.

LISTA – “Mjafton të jesh pjesë e listës, nuk ka rëndësi  lista e parë apo e dytë. Kjo mjafton”.

KONKURRENCA – “Konkurrenca bën mirë në çdo ekip, rrit stërvitjen, të gjithë lojtarët duan të japin maksimumin për të treguar veten. Nëse beson tek aftësitë dhe cilësitë e tua, nuk ka rëndësi konkurrenca e madhe. Të gjithë jemi këtu që ekipi të fitojë dhe në fund të dalim të gëzuar me pikë maksimale”.

ANDORRA – “Personalisht mendoj se asnjë ndeshje nuk duhet nënvlerësuar. Ekipi më i dobët mund të krijojë më shumë probleme. Ne jemi profesionistë dhe duhet të hymë në fushë të bindur për fitore, pavarësisht se çfarë sjell loja”.

STADIUMI – “Është gjë shumë e mirë që tifozët janë shumë afër fushës. Do luajmë në shtëpinë tonë të re dhe tifozeria do të jetë gjithmonë e gatshme për të na përkrahur. Shtysë më shumë? Besoj se po, do na shtyjnë të japim më shumë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!