Ushtria zgjat ndalimin e udhëheqëses Suu Kyi

schedule07:56 - 16 Shkurt, 2021

schedule 07:56 - 16 Shkurt, 2021

Protestuesit në Mianmar denoncuan të hënën vendimin e qeverisë ushtarake për të zgjatur ndalimin e udhëheqëses së rrëzuar Aung Sang Suu Kyi deri të mërkurën. Trupat dhe automjetet ushtarake demonstruan forcën të hënën ndërsa shtuan praninë e sigurisë në qytetet kryesore të atij vendi.

Në Mandalay, trupat përdorën plumba gome dhe katapultat për të shpërndarë demonostratat pranë Bankës Ekonomike të Mianmarit. Media lokale njoftoi për disa të lënduar.

Sipas medias, në qytetin më të rëndësishëm të vendit Yangon, më pak protestues u mblodhën të hënën si rezultat i prezencës më të madhe ushtarake në rrugët e atij qyteti. Policia në kryeqytetin Naypyitaw ndaloi 20 studentë protestues. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi më vonë se ata u liruan.

Ushtria ndaloi dy javë më parë zonjën Suu Kyi nën akuzat se kishte në posedim të paligjshëm radiomarrëse të importuara, ndërkohë që ushtria mori pushtetin. Ajo po mbahet në arrest shtëpiak në Naypyitaw. Urdhri fillestar për ndalimin e saj do të skadojë të hënën.

Gjatë natës së kaluar autoritet ndërprenë qasjen në internet, dhe e aktivizuan atë përsëri në mëngjesin e së hënës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se kufizime të tilla, dhe arrestimi i udhëheqësve politikë dhe të shoqërisë civile janë “thellësisht shqetësuese”.

“Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për situatën në Mianmar, përfshirë përdorimin e shtimit të forcës dhe njoftimet për dislokimin e mjeteve të blinduara në qytetet kryesore”, tha një zëdhënës i zotit Guterres të dielën.

“Ai i bën thirrje ushtrisë dhe policisë së Mianmarit që të sigurojë të drejtat e tubimeve paqësore dhe të respektojë plotësisht që demonstruesit të mos u nënshtrohen reprezalieve. Njoftimet për vazhdimin e dhunës, frikësimet dhe ngacmimet nga punonjësit e sigurisë nuk janë të pranueshme”.

Kombet e Bashkuara thanë se i dërguari special për Mianmarin Schraner Burgener foli të hënën me Zëvendës Komandantin e Përgjithsëm të Mianmarit Chief Soe Win për të bërë presion për një vizitë në bazë të kushteve aktuale në vend.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe 12 vendeve të Bashkimit Evropian në Mianmar dënuan ndërhyrjen ushtarake dhe shprehen mbështetje për popullin e Mianmarit, duke thënë se, “bota po shikon”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!