Mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë të rezistojnë ndaj një vale të re të sulmeve ruse në qytetin lindor të Bahmutit, pavarësisht se Rusia ka pretenduar se ka avancuar në këtë qytet, tha ushtria ukrainase më 10 maj.
Njoftimet për luftime të ashpra në Bahmut vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për ndihmë të re ushtarake për Kievin dhe Bashkimi Evropian pritet që të diskutojë për paketën e re të sanksioneve, për shkak të luftës që Moska ka nisur ndaj Ukrainës, shkruan REL.
Forcat ruse kanë kryer 46 sulme ndaj pozicioneve ukrainase në vijën e frontit Bahmut-Avdijivka-Marjinka në rajonin lindor të Donjeckut, ku Moska ka përqendruar përpjekjet kryesore të luftës, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
Përveç granatimeve të vazhdueshme, forcat ruse po ashtu kanë përdorur avionë për të sulmuar pozicionet ukrainase në Avdijivka, tha ushtria.