Të paktën 30 persona humbën jetën kur ushtria sudaneze bombardoi një treg në Omdurman. Shumica e viktimave në incidentin në souk Shaabi të martën ishin fëmijë dhe gra, sipas dëshmitarëve.
Burimet mjekësore thanë se predhat u qëlluan nga baza ushtarake Karri, të cilën ushtria e kontrollon, gjatë luftimeve të ashpra me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake.
Një shitës perimesh që shkon në treg për të blerë mallrat e tij me shumicë tha se njerëzit që përpiqeshin të vidhnin prodhime ishin mes viktimave. Çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm muajt e fundit dhe shumë njerëz që jetojnë në Omdurman dhe qytetet e tij simotra, Khartoum dhe Bahri, kanë mbetur pa para.
“Shumica e viktimave ishin njerëz që kishin ardhur për të plaçkitur tregun,” tha shitësi i perimeve. “Tregu është bërë shumë i rrezikshëm, sidomos pasdite.”
Ashtu si qytetet e tjera të mëdha sudaneze, pjesa më e madhe e Omdurman-it i ngjan një fushëbeteje që kur shpërthyen përleshjet midis ushtrisë dhe RSF-së më 15 prill, në një përshkallëzim të dhunshëm të një lufte të gjatë për pushtet midis dy fraksioneve kryesore të ushtrisë së vendit.
Të shtunën e kaluar, 38 njerëz u vranë në lagjen Dar es Salaam të Omdurman në një nga sulmet ajrore më vdekjeprurëse të luftës deri më tani.
/abcnews.al