Ushtria japoneze është urdhëruar të jetë në gatishmëri për mbeturinat e mundshme të raketave, pasi sundimtari i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se kishte në plan të lëshonte satelitin e parë ushtarak të zbulimit të Phenianit.
Sipas mediave ndërkombëtare, ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada urdhëroi ushtrinë të jetë në gatishmëri më të lartë në rast se raketat e Koresë së Veriut bien mbi territorin japonez.
Përgatitjet përfshijnë vendosjen e raketave ‘Patriot’, tip ‘Advanced Capability-3’, me bazë tokësore, dhe anijeve luftarake shkatërruese të pajisura me ‘Aegis’ që mbanin predha tip ‘Standard Missile-3’.
Ndryshe, mediat e huaja kanë raportuar se gjatë një vizite në Administratën Kombëtare të Zhvillimit të Hapësirës Ajrore (NADA) të martën, Kim udhëzoi që sateliti ushtarak të lëshohej në datën e planifikuar, ndonëse nuk kanë përmendur një datë specifike të nisjes./Kosova Press