Ushtria izraelite zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

schedule09:15 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 09:15 - 27 Dhjetor, 2023

Forcat izraelite zgjeruan ofensivën e tyre të martën pasi bombarduan kampet palestineze të refugjatëve në Gazën qendrore dhe u kërkuan banorëve të evakuoheshin.

Ofruesi kryesor i telekomit i Gazës njoftoi për një tjetër “ndërprerje të plotë” të shërbimeve në territorin e rrethuar.

Izraeli thotë se lufta do të zgjasë për “shumë muaj” ndërsa zotohet të shtypë grupin militant Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda urbane në veri të Gazës dhe në qytetin jugor të Kan Junis, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla në kërkim të strehimit.

Pavarësisht thirrjeve të SHBA-së për Izraelin që të reduktojë numrin e viktimave në mesin e civilëve dhe presionin ndërkombëtar për një armëpushim, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria po thellonte luftimet. “Ne u themi terroristëve të Hamasit: Ne ju shohim dhe do të arrijmë tek ju”, tha Netanyahu.
Ofensiva e Izraelit nisi si përgjigje ndaj sulmit të grupit terrorist Hamas më 7 tetor në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 persona dhe u morën peng rreth 240 të tjerë.

Ndërsa shumë se 20.900 palestinezë, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ministria tha se 240 njerëz u vranë gjatë 24 orëve të fundit.
Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se bombardimet e vazhdueshme të Gazës kishin marrë jetën e më shumë se 100 palestinezëve që në prag të Krishtlindjeve.

Izraeli tha se nuk do t’u jepte më viza automatike punonjësve të OKB-së dhe akuzoi si “partnerë bashkëfajtorë” në taktikat e grupit palestinez Hamas.

Zëdhënësi i qeverisë, Eylon Levy tha se Izraeli do të shqyrtojë kërkesat për viza rast pas rasti. Kjo mund të kufizojë përpjekjet e ndihmës në Gaza./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!