Ushtria e Koresë së Jugut: Koreja e Veriut ka hedhur një tjetër raketë

schedule09:27 - 28 Shtator, 2021

schedule 09:27 - 28 Shtator, 2021

Ushtria e Koresë së Jugut këtë të martë ka bërë me dije se një raketë me rreze të shkurtër është lëshuar nga Koreja e Veriut në drejtim të detit në brigjet e saj lindore.

Mediat e huaja bëjnë me dije se testimet ndodhën pasi ambasadori i Koresë së Veriut tha në OKB se askush nuk mund të mohojë të drejtën e Phenianit për vetëmbrojtje dhe për të testuar armët.

Ndërkaq kujtojmë se në fillim të shtatorit Pheniani ka testuar raketat balistike dhe ato lundruese. Por disa ditë më parë edhe Koreja e Veriut kishte shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në bisedime me Jugun.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat ushtria amerikane ka theksuar se ishte në dijeni të lëshimit të raketës, por që nuk përbënte asnjë kërcënim të menjëhershëm për personelin amerikan ose aleatët e tij.

Ndërsa në mediat japoneze thuhet se predha mund të ketë qenë një raketë balistike, e cila është e ndaluar sipas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ka urdhëruar Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Seulit të analizojë çdo qëllim pas lëshimit të raketës së fundit nga Pheniani dhe deklaratat e fundit nga motra e fuqishme e Kim Jong-un, Kim Yo-jong.

Kim kishte thënë ditë më parë se ata ishin të hapur ndaj propozimit të Moon për të shpallur zyrtarisht fundin e Luftës Koreane, por shtoi se Jugu duhej të ndalonte së pari “politikat armiqësore”. /abcnews.al