Ushtarët e demoralizuar rusë janë duke “shpikur” mënyra për t’u larguar nga vendi që të mos i bashkohen luftës në Ukrainë. Disa prej tyre, sipas inteligjencës ukrainase, po sajojnë edhe martesa të rreme.
Analistët thonë se ushtria ruse është e ezauruar, me moralin e ulët dhe së shpejti mund të mos ketë më njësi të gatshme luftarake në një kohë kur lufta në Ukrainë hyn në ditën 105-të.
Një bisedë e përgjuar mes një ushtari rus dhe mikut të tij zbuloi se oficerët “nuk kishin fare mundësi” dhe shumë prej tyre kishin bërë tashmë përpjekje të pasuksesshme për t’u shkarkuar.
Ushtari rus u dëgjua të thoshte: “Ose plagosesh, vritesh ose ka një urdhër zyrtar për t’u tërhequr.” Ai shtoi se ai vetë kishte tentuar të organizonte një martesë të rreme në përpjekje për t’i shpëtuar konfliktit.
Materiali audio është publikuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU).
Një numër në rritje i ushtarëve rusë po kërkojnë justifikime për t’u kthyer në shtëpi pasi komandantët shtrëngojnë kufizimet në pushim, tha një zëdhënës nga SBU. /abcnews.al/