Shpesh e dimë se nuk mund të presim bukuri nga përballje të tilla.
Një Uruguaj-Brazil është një biznes ndoshta “i pistë”, me më shumë shkelma sesa futboll dhe kështu ndodhi edhe në çerekfinalen e Copa America, ku në prani të dhjetëra mijë tifozëve, në stadiumin e Las Vegasit, triumfuan uruguajanët, edhe pse nuk ishin të favorizuar, kjo në përballjen brutale me plot 41 ndërhyrje të gabuara.
Darwin Nunez i Liverpool pati rast për ekipin e vendit të vogël, ndërsa Raphinha u përgjigj për brazilianët.
Nuk është se pati shumë raste për gol, pasi dueli ishte më shumë taktik, dhe Uruguaj u mbrojt me forca të shumta për shumicën e kohës. Brazili mbajti topin 60% dhe gjeti më shumë kuadratin e portës, por kundërshtari ishte i rrezikshëm në kundërsulm dhe goditi më shumë.
Skuadra e trajnerit Marselo Bielsa përballoi edhe inferioritetin numerik, pasi mbeti me 10 lojtarë. Nahitan Nandez u përjashtua me karton të kuq për një ndërhyrje vërtet të rëndë ndaj Rodrygo, ku ndonëse fillim arbitri dha vetëm të verdhë, drejtësinë e vendosi VAR-i.
Në Copa America dihet se nuk ka kohë shtesë, ndaj u kalua te penalltitë, ku Uruguaj triumfoi 4-2 duke qenë më i qetë, me Militao e Daglas Luiz, që gabuan për pesë herë kampionët e botës, ndërsa Gimenes për uruguajanët.
Ugarte shënoi 11-metërshin vendimtar dhe trajneri argjentinas do të synojë një titull tashmë me Uruguajin. /i.m /abcnews.al