Uruguai respektoi parashikimet në Kupën e Amerikës duke mundur 4-0 Ekuadorin. Gjithsesi, trajneri Tabarez paralajmëroi se ndeshjet e tjera do të jenë të vështira
Duhej gjetur një rival për Brazilin, dhe duket se ja ku është. Uruguai respektoi parashikimet në Kupën e Amerikës, edhe pse u ndihmua nga fati, duke e nisur garën me këmbën e mbarë, me fitore 4-0 ndaj Ekuadorit.
Një karton i kuq i minutës së 24-ët, marrë nga Kinteros, i dëmtoi keq ekuadorianët, por gjithsesi suksesi tregon se Uruguai do të jetë pretendent si përherë. Jo më kot, skuadra e shquar e ka fituar 15 herë këtë kompeticion, dhe mban rekordin përpara Argjentinës e Brazilit.
Gjithsesi, trajneri Oskar Tabarez paralajmëroi lojtarët e tij se ndeshjet e tjera pritet të jenë më të vështira.
“E ëmbla ka shije shumë të mirë, por të bën keq për dhëmbët, – tha gjysmë me shaka, e gjysmë seriozisht Tabarezi, – futbolli gjithnjë ka të papritura dhe duhet të jemi të përgatitur për to. Fitorja 4-0 na forcon vlerësimin për veten. Synimi ynë është të triumfojmë në çdo ndeshje, por duhet të kujdesemi për çdo detaj. Gjithnjë kam shpresë te kjo kombëtare, lojtarët kanë talent, por edhe dëshirë të madhe”.
Golat për uruguaianët u shënuan nga Nikolas Lodeiro, Edinson Kavani, Luis Suarez dhe një autogol i ekuadorianit Arturo Mina.
“Fitorja na jep qetësi për të vazhduar rrugën tonë, – deklaroi Kavani, – jam shumë i kënaqur për fitoren, pasi ishte një hap shumë i rëndësishëm. Është mirë që e nisëm turneun kështu, dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”.
Uruguai jepet favorit për të fituar grupin C, ku ndodhen edhe Kili me Japoninë, ndonëse cilësohet si pretendenti i tretë për të fituar trofeun, pas Brazilit dhe Argjentinës./ABC News Albania 24/7