Në Tiranë, masat e fundit, që publikoi Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ndaj zyrtarëve të korruptuar, pengues të demokracisë e ligjit në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor u pritën me optimizëm në qarqet e studiuesve.
Ata pohuan se këto janë hapa konkrete e të vendosura për të luftuar korrupsionin e ndërkombëtarizuar njëlloj si po luftohet krimi i ndërkombëtarizuar.
Sipas tyre, kjo është një fushë ku edhe Shqipëria ka shumë punë për të bërë, pasi korrupsioni është i përhapur gjerësisht në të gjitha nivelet shtetërore dhe shoqërore.
Korrupsioni në Shqipëri gjendet aktualisht në një nga stadet më të larta të zhvillimit të tij, thotë Gjergj Vurmo, një nga studiuesit e njohur të çështjeve sociale e ligjore në Tiranë, i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Ai shtoi se korrupsioni ka mbërthyer sektorë të tërë të jetës shqiptare dhe po bëhet gati e pamundur të luftohet kjo dukuri me instrumentet ligjore ekzistuese, aq sa edhe në Shqipëri, ashtu si në SHBA, mund të vlerësohet si një kërcënim thelbësor për sigurinë e vendit.
Sipas tij, Indekset më të rëndësishme ndërkombëtare që matin nivelin e demokracisë, tregojnë se Shqipëria është prej disa vitesh në pikiatë dhe ndodhet në një nga çastet më të vështira të demokracisë së saj.
Ndaj nevojitet një analizë më e thellë dhe më e sinqertë e korrupsionit, duke lënë mënjanë hiporizitë shumëvjeçare, thotë zoti Vurmo, dhe urdhëri i Presidentit Biden është edhe kurajim edhe një vizion për veprimtarinë antikorrupsion në të ardhmen.
“Korrupsioni, si kërcënim për sigurinë, kërkon një analizë të sinqertë, jo të nisë politika të fajësojnë palët njëra tjetrën, por për t’i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme këti problemi. Kjo gjë nuk bëhet me strategjinë e radhës, nuk bëhet me planin e radhës, nuk bëhet duke u hedhur hi syve shqiptarëve, vetvetes dhe ndërkombëtarëve, por bëhet duke marrë masa me vendosmëri më të lartë. Masat do të jenë të dhimbshme si për politikën ashtu edhe për disa individë, që janë pjesë e elitës ekonomike, dhe që në njëfarë mënyre në këto vite po e sundojnë këtë vend” – thotë zoti Vurmo.
Studiuesit pohojnë se në disa fusha të funksionimit të shtetit shqiptar korrupsioni është ndërthurur ngushtë midis interesave të paligjshme politike e ekonomike si dhe me krimin e organizuar, duke u bërë kështu një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese, siç del në të gjithë raportet vendase dhe ndërkombëtare, që matin me metrin e korrupsionit edhe shkallën e demokracisë në Shqipëri.
Eksperti i çështjeve rajonale Ledion Krisafi, në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare thotë se vendimi i fundit i SHBA-ve është një vendim historik për gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor, sepse e ngre korrupsionin si çështje të sigurisë kombëtare dhe e barazon me elementet destabilizues të gjithë rajonit.
Shqipëria, sipas tij, ka dështuar në 30 vitet e fundit në luftën ndaj korrupsionit, i cili ka gërryer administratën dhe gjykatën, duke e shtyrë vendin drejt tipareve të një shteti të dështuar, gjë që SHBA dhe BE nuk mund ta lejojnë.
“Mesazhi për ne nga SHBA është se rruga për ju është e hapur: Nëse korrupsioni për ne është kërcënim për sigurinë kombëtare, për ju duhet të jetë shumë më shumë se kaq. Hapi tjetër për Shqipërinë do të ishte një veting i gjithë klasës politike shqiptare në 30 vjetët e fundit. Kjo është ajo që do të shënonte rrjedhën logjike të reformimit të sistemit të drejtësisë. Pasi kemi kaluar në veting gjithë sistemin gjyqësor, kjo duhet vazhduar me një veting të gjithë klasës politike, duke gjykuar gjithë burimet e tyre të pasurisë në 30 vitet e fundit. Nuk mund të flasim për 30 vite korrupsion, nuk mund të vendosim në listën e zezë të SHBA-ve ish-president e ish-kryeministër shqiptar për korrupsion masiv dhe në fund askush të mos dënohet. Vetingu i politikanëve do t’i japë vlerë dhe kuptim vetingut të drejtësisë, që e presin ddhe qytetarët” – tha zoti Krisafi.
Studiuesit pohojnë se është për të ardhur keq që shoqëria shqiptare shpreson në 3 dekada që të marrë nxitje nga jashtë vendit për të reaguar kundër krimit dhe korrupsionit dhe nuk lëviz vet për t’i goditur ato me institucionet e veta.
Kurajo që vjen nga vendet perëndimore demokratike është një shtytje që shqiptarët duhet ta bëjnë vet për të dalë nga balta e krimit dhe korrupsionit ku janë zhytur si shtet dhe si shoqëri, pohuan ata.
Drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, thotë se, për fat të keq, një pjesë e shoqërisë shqiptare hesht dhe toleron korrupsionin e vogël dhe të madh dhe madje voton e rivoton si deputetë figura politike të korruptuara.
“Për fat të keq, nuk kemi patur reagimin e duhur të qytetarëve në votime, në mbështetje të drejtësisë duke krijuar presion. Kjo lëvizje e re që vjen nga jashtë ndihmon në rritjen e presionit të brendshëm në përpjekjet kundër korrupsionit. Disa lëvizje rresht që po bën administrata Biden për të ndaluar udhëtimin drejt SHBA-ve, bllokimin e pasurive të politikanëve të korruptuar, si dhe kjo vëmendje e mëtejshme ndaj korrupsionit vjen në çastin e duhur kur reforma në drejtësi, vetingu, po krijojnë një presion pozitiv për të krijuar një drejtësi të pavarur. Ne të gjithë i kemi sytë te SPAK, te drejtësia e re, por këto organe duhet të mbështeten edhe me masa të mëtejshme kontrolli në fushën ekonomike” – tha zoti Tase.
Studiuesit pohojnë se për të luftuar korrupsionin, shoqëria është e pafuqishme, ndërsa politikanët janë të pamotivuar, por nxitjet ndërkombëtare i japin kurajo sistemit gjyqësor të përballet me krimin dhe korrupsionin, dhe kjo është një nga pritshmëritë më të mëdha të qytetarëve shqiptarë.
Por sipas tyre, asnjë nxitje ndërkombëtare nuk mund të mjaftojë për të shpëtuar nga korrupsioni dhe krimi, nëse nuk lëvizin vet qytetarët dhe institucionet vendase.
Presidenti i SHBA, Joe Biden nxori së fundi një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave, që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë tashmë edhe Shqipërinë, dhe zgjeron objektin e saj, duke përfshirë personat, që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike./ VOA