Urat mesjetare në Lezhë rrezikojnë të shemben

schedule16:43 - 20 Mars, 2022

schedule 16:43 - 20 Mars, 2022

Nga Gjergji Figuri 

I kanë rezistuar shekujve, por jo viteve të demokracisë! Monumentet e kulturës së kategorisë së parë në Qarkun e Lezhës po shkatërrohen dita ditës. E vetmja ndërhyrje gjatë viteve të fundit është bërë për muret e Kalasë së Lezhës. Monumentet e tjera janë totalisht pas dore, si Ura e Plakut Gjon e ndërtuar në mesjetë në fshatin Merqi nga më të vjetrat në vend.

Siç duket dhe nga pamjet monumenti i kulturës i kategorisë së parë është mbuluar nga vegjetacioni. Ish-përgjegjësi i kulturës në Lezhë, Paulin Zefi, tregon se pastrimi i fundit është bërë 8 vite më parë nga vullnetarë.

“Në bazë të punimeve që kanë bërë në vitin 2014 vullnetarë u zbuluan dhe dy harqe anësore që janë ende të mbuluara me dhe vegjetacion. Që nga korriku I 2014 nuk është bërë më asnjë lloj ndërhyrje, ska pasur asnjë vëmendje nga ministria e kulturës apo instanca të tjera që duhet të përkujdesen për këtë objekt”.

Sipas historianit vegjetacioni po rritet shumë dhe nëse nuk pastrohet sa më parë ura rrezikon të shembet.

“Vegjetacioni i lartë e ka pushtuar sërish urën. Është rikthyer pas vitit 2014 edhe më keq pasi një pjesë e bimëve janë kthyer në pemë dhe rrënjët e tyre po depërtojnë brenda strukturës së urës dhe rrezikojnë shembjen e saj. I ka rezistuar shekujve po ndoshta s’do t’i rezistojë viteve të fundit. Mjafton të pastrohet njëherë në vit nga vegjetacioni dhe ura mund të vazhdojë të jetë në gjendje të mirë, po do ishte mirë që dhe të restaurohet”.

Në gjendje të mjerueshme është dhe Ura e Shkinës në Blinisht edhe kjo monument kulture e kategorisë së parë. Historiani Dom Nik Ukgjini tregon se dhe këtu instancat që kanë përgjegjësi për monumentet e kulturës nuk kanë ndërhyrë.

“Shumë janë bërë në mënyrë private se sa në mënyrë zyrtare. Jam I pakënaqur që në veri nuk është investuar nga Ministria e Kulturë sa në jug. S’është vetëm ministria problematike por duhet të jetë dhe problem qeverie pasi buxhetin e kulturës e ka të fundit. Ministrisë u mungon kultura, kjo reflekton në terren edhe tek monumentet e kulturës”.

Edhe ura e famshme e Zogut në Milot po shkon drejt shembjes. Dhjetëra herë është denoncuar në media se një prej këmbëve të saj është zhvendosur më shumë se dy metra duke u fundosur në lumin Mat. Vitin e kaluar ura me tre harqe u përzgjodh nga organizata “Europa Nostra” si ndër 12 objektet më të rrezikuara në Europë. E pas këtij konstatimi Ministria e Kulturës nuk ka ndërhyrë ende.

Shembull konkret i mungesën së vëmendjes së autoriteteve është shembja e Kishës së Shna Ndout në Zejmen. Me sa duket të njëjtin fat rrezikojnë të kenë dhe vepra të tjera të rëndësishme të Qarkut të Lezhës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!