Vjen një surprizë nga sistemi i largët i Uranit, 2 nga 27 hënat e tij, Ariel dhe Miranda, mund të fshehin oqeane me ujë të lëngshëm nën sipërfaqet e tyre të akullta, ashtu si disa nga hënat e Jupiterit dhe Saturnit.
Këto të dhëna janë kapur nga misioni Voyager 2 i NASA-s, i cili kaloi afër Uranit pothuajse 40 vjet më parë, para se të largohej nga Sistemi Diellor dhe deri tani i vetmi që ka vizituar këtë planet. Zbulimi, i udhëhequr nga Universiteti Amerikan Johns Hopkins, u prezantua më 16 mars në Konferencën vjetore mbi Shkencat Hënore dhe Planetare dhe është në pritje të botimit në revistën Geophysical Research Letters.
Studiuesit e udhëhequr nga Ian James Cohen kanë ekzaminuar të dhënat në lidhje me rrezatimin dhe fushat magnetike të mbledhura nga Voyager 2 gjatë fluturimit të tij, duke zbuluar diçka të papritur: sonda në fakt ka kapur grimca shumë energjike të përqendruara pikërisht midis dy hënave, të cilat janë pjesë e pesë hënave më të mëdha të Uranit.
Një shpjegim i mundshëm për këtë zbulim është pikërisht prania, në njërin ose të dy nga dy satelitët, e oqeaneve nëntokësore, të cilat lëshojnë shtëllunga avulli në hapësirë, siç ndodh edhe në Enceladus dhe Europa, përkatësisht hëna të Saturnit dhe Jupiterit të karakterizuara nga uji i lëngshëm nën sipërfaqe.
“Të dhënat emocionuese tregojnë mundësinë e ekzistencës së oqeaneve me ujë të lëngshëm”, thotë Cohen, “por ne kemi nevojë për zbulime të reja për të konfirmuar këtë tezë.” Kjo është një nga arsyet që çoi në propozimin e Uranit si një destinacion për misionin e ardhshëm të madh planetar të NASA-s, i cili, nëse miratohet, do të kërkonte një investim prej 4.2 miliardë dollarësh.
Misioni, megjithatë, nuk mund të jetë gati për nisje para vitit 2030, kështu që ndërkohë burimi i vetëm i mundshëm i zbulimeve mbetet sonda Voyager 2, e cila po vazhdon udhëtimin e saj në hapësirën ndëryjore. /abcnews.al