Manchester United ndodhet në formë të shkëlqyer dhe i ka surprizuar të gjithë me rezultatet e fundit në Premier League. Djemtë e Ole Gunnar Solskjaer kanë regjistruar 8 fitore dhe 2 barazime në dhjetë ndeshjet e fundit në kampionat.
Për momentin kryesojnë bashkë me Liverpool (United ka luajtur një ndeshje më pak). Një ndër pikat më të forta është dyshja Pogba-Bruno Fernandes. Të dy mesfushorët shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, diçka që konfirmohet nga portugezi në prononcimin e dhënë për NBC Sport.
“Kam një marrëdhënie të mirë me Paul Pogba. Të dy flasim gjuhën italiane dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Ai ishte i dëmtuar kur erdha unë tek United. Ai po rikuperohej dhe stërvitej veçmas nesh.
Një ditë më thirri dhe më tha: po i ndjek ndeshjet dhe lëvizjet e tua, kështu që mos u shqetëso. Kur të jem gati për ndeshje, do të pasoj topin aty ku e do. I kam studiuar lëvizjet e tua, ti lëviz djathtash, majtas dhe më pas rikthehesh disa mbrapa.
Prit sapo të vi në formë dhe do të kombinohemi shumë bukur me njëri-tjetrin. Nisëm të luanim së bashku dhe e përfunduam shumë mirë sezonin e kaluar. Sezoni i ri nuk nisi mirë, Pogba u infektua me Covid-19 dhe një gjë e tillë ndikoi për keq tek ai.
Paul e pati të vështirë të rikthehej në formën e tij më të mirë, por e ka marrë veten dhe ka rifituar besimin te cilësitë e tij. Goli ndaj West Ham i shërbeu shumë. Skuadra ka nevojë për të dhe ai e ka kualitetin për të na ndihmuar“, deklaron mesfushori portugez. /abcnews.al