Uniku Mario de Castro, goleadori me emrin fals që refuzoi Brazilin

schedule19:38 - 2 Janar, 2021

schedule 19:38 - 2 Janar, 2021

Një emër i panjohur në vendin tonë, që ka luajtur herët dhe e ka mbyllur me futbollin kur ishte vetëm 26 vjeç. Quhej Mario de Castro, sulmues brazilian, i cili karrierën e tij e ka ushtruar nga viti 1926, deri në vitin 1931. Statistikat e tij ishin të frikshme, teksa numëron 195 gola në 100 ndeshje me Atletico Mineiro. “Kur ai gjuante drejt portës, ose e çante rrjetën, ose e priste portieri. Ai luante shumë më mirë se Pele”, kështu shprehej José Secundino, një tifoz i thekur Atletico, i cili pa futboll deri në moshën 100-vjeçare.

Legjenda thotë se Mario, i cili vdiq më 29 prill të vitit 1998, shënoi në çdo ndeshje të skuadrës së tij, që nuk e ndryshoi asnjëherë, edhe pse e kishte mundësinë. Një personazh me një histori mjaft interesante, për mënyrën se si e nisi dhe e mbylli karrierën, por edhe për gjithçka tjetër bëri gjatë karrierës së tij të shkurtër, që u mbyll në moshën 26-vjeçare.

 

SI E NISI FUTBOLLIN – Uniku Mario de Castro donte të bëhej dikushi dhe kishte zgjedhur të studionte për mjekësi, por pasioni i tij ishte futbolli. Viti 1925 dhe djaloshi zbarkoi në Belo Horizonte, ku do ishte student në “Universidade Federal de Minas Gerais”.  Gjithçka nisi nga një fushë dheu, me ekipin që po dominonte kampionatin rajonal: América Mineiro.

Vetëm një ditë aty dhe Mario, atëherë 21 vjeç, ndryshoi mendje, edhe pse i kishin ofruar një vend në ekip. Ditën tjetër zbarkoi në terrenin e stadiumit të Atletico Mineiro dhe Chico Neto, i cili ishte trajneri i skuadrës, e mori direkt të riun në ekipin e parë. Debutimi për të ishte i veçantë, pasi shënoi tre herë pikërisht kundër America Mineiro, që e mundën me rezultatin 6-0.

Sapo kishte nisur aventura e tij dhe sulmuesi nuk kishte dëshirë që nëna (Mario nuk e kishte babain dhe ishte djalë i vetëm, ndërkohë që kishte katër motra) e tij ta dinte që po luante futboll. Nuk mund të hiqte dorë nga pasioni, ndaj edhe e gjeti një mënyrë që të mbetej gjithçka e fshehtë.

Atletico Mineiro zhvilloi një miqësore me një ekip nga lagjia Barro Preto dhe takimi përfundoi me rezultatin 9-2. Pjesa e parë u mbyll 2-1 dhe më pas nisi festivali i golave. Protagonist një sulmues i gjatë dhe elegant, i cili shënoi dy golat më të bukur të ndeshjes. Gazetat e kohës e identifikonin me emrin Orion.

I saktë, goditje e fortë me të dyja këmbët, një lojtar më cilësi të jashtëzakonshme. Futbolli sapo kishte nisur rrugëtimin e tij dhe Atletico Miniero përbëhej kryesisht nga studentë. Ishte në modë atëherë përdorimi i pseudonimeve, sikurse bëri edhe Mario. Nëna e tij, Dona Oliveira, një e ve e pasur, nuk donte ta shite djalin të linte orët e mjekësisë për futbollin.

Sulmuesi me pseudonimin Orion u bë një nga golashënuesit më të mëdhenj të historisë së Atletico Mineiro dhe më pas një legjendë, ndërkohë që u zbulua se Orion ishte pikërisht Mario De Castro. Kushdo që e kishte parë atë ishte i gatshëm të garantonte se ai nuk e nxirrte një herë topin jashtë kuadratit. Elegant, njeri me personalitet, i cili Atletico Mineiro e kishte në venat e tij.

 

Treshja e Mallkuar

KARRIERA – Mario de Castro spikati menjëherë me Atletico Miniero, duke ndihmuar të thyente dominimin e America në kampionatin e Minas Gerais. Kampion që në sezonin e parë, titull sërish dhe golashënuesi më i mirë.  21 dhe 28 gola të realizuar nga goleadori, i cili ishte pjesë e një sulmi të quajtur “Treshja e mallkuar”. Së bashku me Said dhe Jairo shënuan më shumë se 450 gola për Atletico Mineiro.

Për herë të parë nga ky klub thirrej një lojtar në kombëtaren e Brazilit dhe ishte pikërisht Mario. Jo vetëm kaq, por ai ishte i pari jashtë Sao Paolo dhe Rio De Janeiro, që merrte një ftesë. Si ndodhi diçka e tillë? Në vitin 1929, në përurimin e stadiumit të Atletico, “Antonio Carlos”, ishte i pranishëm edhe një zyrtar i Federatës Braziliane të Futbollit, Horacio Werner. Gjithashtu takimi u ndoq edhe nga një gazetar, Alysio Tavora, i cili kishte udhëtuar nga Rio de Janiero për të ndjekur ndeshjen. De Castro shënoi dy gola në triumfin 4-2 kundër Corinthians.

 

Disa ditë më pas u ftua nga “Selecao”, për në kampionatin e parë botëror, në vitin 1930. Ndodhi befasia, pasi sulmuesi e refuzoi ftesën, pasi do të ishte rezervë. Kush mund ta bënte diçka të tillë? Vështirë të ndodhte, por sulmuesi ishte i vendosur. Carvalho Leite preferohej titullar dhe De Castro refuzoi. Bordi i Atletico Mineiro kërkoi një miqësore kundër Botafogo dhe Mario shënoi tre herë, duke i treguar Leite se kush ishte më i miri. Skuadra e tij fitoi 3-2.

Sulmuesi ka edhe një histori interesante me Fluminense, që tentoi ta afronte në skuadër. Ata i bënë një ofertë të mirë në aspektin financiar dhe ai e refuzoi. Më pas Mario Castro e shumëfishoi dhe kërkoi që të kishte leje të ikte nga Rio kur donte. Aty Fluminense u dorëzua dhe sulmuesi mbeti në kampionatin rajonal.

E veçanta tjetër e Mario ishte se shumicën e golave i shënonte në pjesën e dytë, kjo për shkak se vonohej për ndeshjet. Kjo ndodhte prej provimeve në shkollën e mjekësisë dhe Atletico Mineiro detyrohej ta niste ndeshjen shpesh herë me një lojtar më pak, ndërkohë që goleadori bëhej gati dhe rivalët dorëzoheshin para tij. Legjenda kështu thotë…

VENDIMI DRAMATIK – Viti 1931 ishte i fundit për sulmuesin në futboll. Atletico Mineiro fitoi titullin kampion dhe kjo ndodhi pas një ndeshjeje dramatike. Pas një pjese të parë me rezultatin 0-3 në favor të Villa Nova, Mario de Castro mori frerët e lojës dhe shënoi katër herë, duke i dhënë fitoren dhe titullin skuadrës së tij.

Festimet për fitoren sollën një tragjedi, pasi një tifoz i Villa Nova u vra nga një drejtor i Atletico Mineiro. Sulmuesi u tërbua nga diçka e tillë dhe vendosi ta mbyllë me futbollin, në moshën 26-vjeçare. E gjitha në shenjtë proteste, ai nuk mund ta pranonte atë që kishte ndodhur dhe më pas futboll luajti vetëm me miqtë e tij.

Mario de Castro iu përkushtua jetës si mjek në qytetin e lindjes, Formiga, dhe në vitin 1941 ai luajti edhe një ndeshje lamtumire kundër Madureira. Aty shënoi golin e fundit. Me një mesatare 1.95 gola për ndeshje, sigurisht që Mario de Castro është në listën e legjendave të Atletico Mineiro dhe konsiderohet lojtari me mesataren më të larta të golave në gjithë historinë e futbollit. Sa keq që e la futbollin aq herët! / VLADIMIR PRENGA – abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!