Më shumë se 5,800 fëmijë dhe adoleshentë vdiqën nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit në Evropë dhe Azinë Qendrore në vitin 2019, pothuajse 16 në ditë. Midis tyre, 4917 ishin më pak se 1 vjeç. Këto janë të dhënat që dalin nga një analizë e detajuar, e cila është publikuar nga UNICEF.
“Kur bëhet fjalë për ndotjen e ajrit, mushkëritë më të vogla paguajnë çmimin më të lartë dhe kjo shkakton dëme në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, ndonjëherë duke u kushtuar atyre jetën”, tha Regina de Dominicis, drejtoreshë e agjencisë rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore.
UNICEF shpjegon se fëmijët janë më të prekshëm nga ndotja: ata marrin frymë dy herë më shpejt se të rriturit dhe shpesh përmes gojës, duke thithur më shumë ndotës; lartësia e tyre i vendos më afër tokës, ku grumbullohen ndotësit; organet e tyre janë të ekspozuara ndaj inflamacionit dhe dëmtimit gjatë një periudhe zhvillimi të shpejtë.
Kjo mund të përkthehet në një rrezik më të madh të kontraktimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes si pneumonia dhe zhvillimit të problemeve të frymëmarrjes si astma dhe, më vonë në jetë, sëmundje kardiovaskulare, kancer, çrregullime neurologjike.
Për këtë arsye, UNICEF u kërkon qeverive të përshpejtojnë tranzicionin drejt energjisë dhe transportit të pastër. UNICEF bën thirrje gjithashtu për ngritjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve të monitorimit të cilësisë së ajrit në afërsi të kopshteve dhe shkollave, duke zbuluar nivelet e ndotjes së ajrit të rrezikshme për fëmijët dhe gratë shtatzëna.
“Reduktimi i ndotësve të ajrit dhe ekspozimit të fëmijëve ndaj ajrit toksik është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit të tyre, duke rezultuar në kosto më të ulëta të kujdesit shëndetësor, përmirësim të mësimit, rritje të produktivitetit dhe një mjedis më të sigurt dhe më të pastër për të gjithë”, përfundon de Dominicis./abcnews.al