Në kuadër të javës së vaksinimit, UNICEF jep alarmin duke konfirmuar se janë rreth 169 milionë fëmijë në të gjithë botën të cilët nuk janë vaksinuar kundër fruthit. Vendi me më pak fëmijë të vaksinuar në botë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
169 milionë, thënë ndryshe, mesatarisht 21.1 milionë në vit, janë fëmijët që në periudhën 2010 – 2017 nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër fruthit. Të dhënat u konfirmuan nga UNICEF në kuadër të javës botërore të vaksinimit, e cila shënohet në javën e fundit të prillit. Në tre muajt e parë të 2019-ës, në botë janë regjistruar më shumë se 110 mijë raste fruthi, rreth 300 për qind më shumë raste në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më patë. Rreth 110 mijë persona, pjesa më e madhe fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e fruthit në vitin 2017, me një rritje prej 22 për qind në krahasim me një vit më parë. Dy doza vaksine kundër fruthit janë thelbësore për të mbrojtur fëmijët nga sëmundja. Gjithësesi për shkak të mungesave, sistemeve shëndetësore jo të përshtatshme, pakujdesisë, e në disa raste dhe të frikës e skepticizmit për vaksinat, mbulimi global i dozës së parë të vaksinës ndaj fruthit ishte prej 85 për qind. Një shifër që ka mbetur e palëvizshme në dekadën e fundit pavarësisht rritjes demografike. Mbulimi global për dozën e dytë është dhe më i ulët: rreth 67 për qind. Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandon pragun prej 95 për qind të mbulimit të vaksinimit global për të arritur atë që cilësohet si imunitet i përgjithshëm.
Shtetet e bashkuara të amerikës janë në krye të klasifikimit të vendeve me numrin më të madh të fëmijëve që nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër fruthit në periudhën 2010 – 2017, më shumë se 2.5 milion fëmijë. Më pas renditen Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, respektivisht me më shumë se 600 mijë e 500 mijë fëmijë jo të vaksinuar në të njëjtën periudhë. Italia renditet në vendin e pestë me 435 mijë fëmijë. Ndërsa në vendin e katërt është Argjentina me 438 mijë fëmijë jo të vaksinuar. /abcnews.al