UNDP publikon rekomandime për gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në arsim

schedule10:33 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 10:33 - 3 Dhjetor, 2021

Sot eshte Dita Nderkombëtare e Personave me Aftësi te Kufizuara. Në vazhdën e përpjekjeve për përfshirjen e ketyre personave  në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) në Shqipëri, UNDP publikon rekomandime për gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në sistem. Këto rekomandime janë konsultuar me politikbërës në nivel qendror dhe vendor, organizata të shoqërisë civile, persona me aftësi kufizuara, prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe drejtues e mësues të shkollave profesionale në vend.

UNDP ofron rekomandime për institucionet përgjegjëse të AFP-së në drejtim të përmirësimit të kornizës ligjore, kulturës përfshirëse, planifikimit më të mirë dhe përmirësimit të performancës, me synim përfshirjen e sa më shumë personave me aftësi të kufizuara në sistemin e formimit profesional.

Disa nga rekomandimet kryesore përfshijnë:

1.  Përfshirja e institucioneve qendrore në programe ndërgjegjësimi, ndarjen dhe promovimin e praktikave të mira, të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si domosdoshmëri për krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara;

2. Trajnime të stafeve të AFP-së mbi aftësinë e kufizuar dhe barazinë, etikën, komunikimin, terminologjinë;

3.  Ndërhyrje në Ligjin për AFP-në për të garantuar pranimin në institucionet e AFP-së, vlerësimin e nxënësve, planet individuale për lëndët teknike dhe të përgjithshme, caktimin e mësuesve mbështetës, mjeteve të nevojshme didaktive dhe të punës, përshtatjeve të arsyeshme, si edhe elementeve të tjera të nevojshëm për pjesëmarrjen efektive të nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollë dhe në aktivitetet jashtë saj;

4. Hartimi dhe standardizimi i instrumenteve për vlerësimin e nevojave të individëve me aftësi të kufizuara, të cilët do të ndjekin arsimin dhe formimin profesional dhe trajnime të aktorëve përgjegjës për aplikimin e tij;

5.  Parashikimi i stafit dhe burimeve të nevojshme (ose mbështetja e organizatave të specializuara) për te mbështetur personat me aftësi të kufizuara gjatë qëndrimit në shkollë dhe tranzicionit në tregun e punës:

6. Aktivizimi i Fondit Social të Punësimit, sipas parashikimeve të Ligjit të Nxitjes së Punësimit (nr.15/2019), si instrument për të financuar arsimin, trajnimin dhe punësimit e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

UNDP do të vijojë mbështetjen dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të AFP-së dhe Kualifikimeve për të adresuar dhe ndjekur zbatimin e disa prej rekomandimeve konkrete të dakordësuara nga të gjitha palët e konsultuara.

Studimi u krye ne kontekstin e Programit : “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, financuar nga Qeveria e Zvicrës dhe zbatuar nga UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. /abcnews.al/