Mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin Bardh a Zi është diskutuar në lidhje me ultimatumin e bërë nga kryeministri Edi Rama ndaj kryebashkiakëve në lidhje me hedhjen dhe pastrimin e mbetjeve.
Në një panel të ftuarish është diskutuar në lidhje me projektet e fundit të ndërmarra për pastrimin e qyteteve dhe përgjegjësia që duhet të ketë çdo kryebashkiak.
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, në fjalën e tij është shprehur se shkak për atë urdhër të kryeministrit është fakti që në verë mbetjet u bënë shumë problem sidomos në Durrës dhe në Himarë.
Ndër të tjera ai është shprehur se kryeministri nuk ndërhyn në punët e bashkive por është e drejta e tij të kërkojë llogari.
“Kjo histori ka lindur në zezonin turistik për shkak të ngarkesës që marrin këto zona. Sivjet pati disa aksidente në Durrës dhe në Himarë në sezonin turistik, tashmë pastrimi është bërë por në pikun e sezonit turistik ka pas më shumë ndjeshmëri dhe për shkak të kësaj pati një destabilizim në disa zona që ka sjellë dhe reagimin e kryeministrit. Siç mund të ndodhe në një familje.
Është e drejta e kryeministrit që të kërkojë llogari dhe të vërë përpara përgjegjësisë kryebashkiakët. Kryeministri Edi Rama nuk ka ndodhur kurrë që të hyjë dhe të bëjë punën tënde. Kam dëgjuar këto debatet për inceneratorët petulla me ujë. I kemi parë nga afër sesi procedohet për djegien e plehrave në inceneratorë, që bëhet për prodhim energjie ose përfitime të tjera”, është shprehur Ndreu. /abcnews.al