Ky sezon ka nisur në mënyrën më të keqe për Milanin. Kuqezinjtë kanë mbledhur vetëm 13 pikë në 12-të javët e para dhe renditen në vendin e 14-të. Problemet në ekip janë të shumta, edhe pse Pioli po bën maksimumin për të përmirësuar shumë gjëra. Sulmi është një nga pikat më të dobëta.
Lojtarët me potencial nuk mungojnë në këtë repart, por 11 golat e shënuar e rendisin Milanin si sulmi i gjashtë më i dobët në Serie A. Krzysztof Piatek ka shënuar vetëm 3 gola në kampionat dhe nuk është më lojtari i sezonit të kaluar. Drejtuesit e Milani ia kanë bërë të qartë: pesë ndeshjet e ardhshme janë decizive për të ardhmen e tij.
Nëse nuk shënon dhe nuk rrit nivelin e lojës, mund të largohet në janar! Gazzetta dello Sport raporton se drejtuesit mund ta huazojnë te Genoa, aty ku shpërtheu dhe ku mund të marrë veten. Gjithmonë, nëse pesë përballjet e para nuk sjellin ndryshimin e kërkuar. /abcnews.al