Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu deklaroi se numri i të punësuarve në vend po rritet vazhdimisht dhe gjithmonë e më shumë po reduktohen përfituesit e ndihmës ekonomike. Ajo u shpreh se 1 maji e gjeti vendin me nivelin më të ulët të papunësisë prej vitit 1992, 10. 7%.
Eksperti për punësimin, Erion Muça e cilësoi këtë shifër si pozitive por përmendi faktin se nivelin më të lartë të papunësisë e jep grupmosha më aktive nga 15-45 vjeç. Në një intervistë për “Newsline” , eksperti tha se sipërmarrjet duhet të bëjnë më shumë për integrimin e të rinjve në punë.
“Të rinjtë të marrim eksperiencë me forma alternative, të mund të eliminojmë ca shkallë dhe hapa në nivelet e pozicionit të punës në sipërmarrjet private që të kërkojnë një profil pune që nuk ka të bëjë me një punë të thjeshtë por me një pretendim të të riut për t’u pozicionuar diku me qëllim që të shmangë mungesën e sistemit dhe mangësitë e promovimit të brendshëm në shumë sipërmarrje. Vetëm vitet e fundit ka ndjeshmëri më të lartë nga ana e sipërmarrjeve për t’i investuar të rinjtë, për t’i përgatitur për nevojat e punës sepse ka mungesë totale në dispozicion.“, u shpreh ai.
Sipas tij, tregu ka nevojë më shumë për punë të thjeshta.
“E vërteta është tregu vendas ka nevojë për kapital njerëzor dhe shumica e kapitalit që kërkohet është për punë të thjeshta fare. 70 përqind janë për punë të thjeshta fare që kërkojnë vetëm aktivizimin fizik të një individi duke e mësuar në ditët e para. Një pjesë e profileve në këtë përqindje janë për punë me zanate me arsimin profesional apo specialistë që dalin nga shkollat profesionale por jo nga kurset profesionale. Kjo tregon se kurset nuk i përdorim për një zanat por si element plotësues. Ky mentalitet duhet të ndryshojë sepse kurset në Shqipëri dhe trajnimet kanë ndikim real në zhvillimin e aftësive dhe pajisjen me një model praktik të nje personi përmes të cilit të vijojë dhe të punojë.”, u shpreh ai./abcnews.al