Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se ulja e numrit të anëtarëve aktivë të kësaj force politike, nga viti 2014 deri sot, ka ardhur për shkak të largimit të demokratëve jashtë vendit, por kanë ndikuar edhe vdekjet.
Gjatë konferencës me gazetarët, Basha u shpreh se Partia Demokratike është një forcë politike perëndimore, me një agjendë të përcaktuar.
Basha shtoi se në Partinë Demokratike, nuk përjashtohet askush që nuk mendon njësoj si kryetari i partisë.
“Nuk e pranoj premisën e pyetjes suaj, në 2021 kanë marrë pjesë 40 mijë anëtarë, në zgjedhjet e korrikut, 18 mijë anëtarë të PD. Bëhet fjalë në votimin për kryetarin e Partisë Demokratike. 18 mijë kanë marrë pjesë, por në zgjedhjet e 2021, 40 mijë kanë marrë pjesë. E keni të gabuar premisën. PD me regjistrin e 2021, me regjistrin e zgjedhjeve të vitit 2021, arriti të konfirmojë afro 60 mijë anëtarë funksionalë. Një pjesë e tyre janë larguar, një pjesë kanë humbur jetën. Numri total i konfirmuar para zgjedhjeve të 25 prillit, është afro 60 mijë. Ta lëmë me kaq.
Askush në Partinë Demokratike nuk përjashtohet se mendon ndryshe nga kryetari. Unë nuk e konsideroj butësi dhe as dobësi, por pjekuri politike. Problemi nuk qëndron këtu, por te agjenda politike e Partisë Demokratike. Nuk bëhet fjalë për agjendë dosido. Së pari, aleanca e Partisë Demokratike me Perëndimin, me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, qëndrimi ndaj parimeve kryesore të demokracisë, ku hyn edhe mbështetja për fundin e pandëshkueshmërisë, kemi marrë vendimet tona, shpesh edhe me kosto të larta. Ndodhemi para një lufte të re të ftohtë, rrezikon të kthehet në luftë të nxehtë, luftë mes perëndimit dhe lindjes. Kurrë nuk ka qenë më imperative që Shqipëria të ankorohet në kampin perëndimor.
Kultura “ha muço pi muço” e klasës politike shqiptare duhet të marrë fund, Shqipëria duhet të ankorohet përfundimisht në anën perëndimore. Flasim si perëndimorë dhe sillemi si lindorë. Në lindje ka të paprekshëm, në perëndim nuk ka. Këto janë pikat identitare, mbi këto piketa, PD ka ndërtuar filozofinë e saj. Kjo është e vetmja rrugë për t’i shërbyer shqiptarëve”, theksoi ai./abcnews.al