Krijimi i zhurmave nëpër lagje është veprim i dënueshëm me ligjin shqiptar, por shumë të rinj nuk e dinë këtë duke kundërshtuar madje edhe policinë.
Kështu ka ndodhur mbrëmë në një prej lagjeve të kryeqytetit, ku efektivët e komisariatit nr.2 kanë shkuar në një zonë ku kishte informacione nga banorët se një grup të rinjsh po bënin zhurmë duke shqetësuar qytetarët.
Pasi policia ka shkuar atje, të rinjtë jo vetëm që nuk kanë respektuar ligjin, por kanë filluar t’i kundërshtojnë duke bërë që të arrestohen gjashtë prej tyre, ndërsa një 17 vjeçar u procedua penalisht duke u ndjekur në gjendje të lirë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasit S. S., 20 vjeç, M. Sh., 19 vjeç, E. Ç., 19 vjeç, A. D., 19 vjeç, M. B., 20 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. P., 17 vjeç.
Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme, nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, të cilët po kryenin veprime policore pasi në subjektin ku po qëndronin këta shtetas kishte ankesa nga qytetarët, për zhurma. Gjithashtu, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit në Komisariat”, njofton policia. /abcnews.al