Mungesa e reshjeve të shiut ka ndikuar nw prodhimin e energjisw gjatw kwtij viti por treguesit e sektorit energjitik në vend janë më optimist. Sipas statistikave të Entit Rregullator të Energjisë rezulton se niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 8 – mujorin e parë të këtij viti rezultoi 17.56%, ose rreth 2 % më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ku humbjet ishin mbi 19%.
Ky përmirësim i treguesve lidhet me ndërhyrjen në rrjet ku janë realizuar një sërë investimesh por edhe me aksionet për ndërprejen e lidhjeve të paligjshme nga OSHEE. Edhe arkëtimet kanë pasur një ecuri pozitive gjatë periudhës janar-gusht.
Sipas ERE arkëtimet janë në nivelin 99.3% ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky tregues ishte 97.4% e faturave të gjeneruara nga OSHEE. Ndërkohë që mungesa e reshjeve nuk ka favorizuar prodhimin e energjisë elektrike.
Prej disa muajve në vend ka pasur shumë pak reshje duke ndikuar në nivelin e ujit në kaskadën e Drinit. Sipas Entit Rregullator të Energjisë gjatë 8-mujorit të këtij viti u prodhuan rreth 5.4 mln mwh nga 6.2 mln mwh që ishte një vit më parë.
Por sasia e energjisë së prodhuar duket se ka përmbushur nevojat e vendit pasi rezulton se është pothuajse e njëjtë me atë që është konsumuar. Ndërkohë që vetëm për javën e fundit të këtij muaji Kesh ka blerë rreth 4 mln euro energji elektrike për të plotësuar nevojat në vend./abcnews.al