Ukrainë, zgjidhet kreu i kishës së pavarur nga Rusia

schedule22:25 - 15 Dhjetor, 2018

schedule 22:25 - 15 Dhjetor, 2018

Ukraina ka zgjedhur të shtunën kreun e ri të kishës, që tashmë do të veprojë e pavarur nga influenca ruse. Në ceremoninë e mbajtur, presidenti Poroshenko deklaroi se shkëputja nga Moska përbën një ditë historike për vendin.

Në Ukrainë është zgjedhur të shtunën lideri i kishës së re kombëtare, një lëvizje kjo që shënon ndarjen historike nga Rusia. Presidenti Petro Poroshenko deklaroi se mitropoliti i Patriarkatit të Kievit është zgjedhur si kreu i kishës së re.

“Kjo e shtunë do të hyjë në histori si një ditë e shenjtë. Si dita e pavarësisë nga Rusia”, deklaroi Poroshenko përpara mijëra mbështetësve.

Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Rusisë prekën fundin pas aneksimit që Moska i bëri Krimesë në vitin 2014 dhe morën një goditje të dytë pak kohë më parë kur marina ruse sekuestroi 3 anije ukrainase dhe ekuipazhet e tyre. Kisha Ortodokse Ukrainase ka qenë nën vartësi të Rusisë për disa qindra vjet dhe liderët e rinj të saj e shohin shkëputjen nga Moska si një hap kyç për të penguar ndërhyrjen e saj.

Kievi zyrtar pretendon se kishat e mbështetura nga Moska në Ukrainë janë një vegël e Kremlinit për të përhapur propagandë dhe mbështesin luftëtarët pro-rusë në rajonin Donbas, në konfliktin që ka marrë mbi 10 mijë jetë njerëzish. Lideri i kishës së re u zgjodh nga një këshill që u mblodh në Katedralen e Shën Sofisë në Kiev, e ndërtuar nga djali i princit Volodimir, pagëzimi i të cilit në vitin 988 çoi në përhapjen e krishtërimit në rajon.

“Vetëqeverisja e kishës është çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Ukrainës. Sapo kemi fituar pavarësinë shpirtërore, që është e barabartë me pavarësinë politike”, deklaroi Poroshenko./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!