Të paktën tre persona janë vrarë nga sulmet me dronë dhe raketa që ka kryer Rusia në lindje të Ukrainës në 24 orët paraprake, thanë zyrtarët ukrainas më 18 shkurt, duke shtuar se trupat ukrainase kanë zmbrapsur një ofensivë ruse në frontin jugor.
Trupat e dy viktimave janë nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese banimi në qyteti Kramatorsk, që u godit nga një sulm me raketa gjatë natës, tha Vadym Filashkin, guvernator ushtarak i rajonit të Donjeckut. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në vendngjarje, shkroi ai në Telegram.
Të paktën një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ndaj një ndërtese dykatëshe në rajonin fqinj të Harkivit, tha Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake të kësaj province.
Në buletinin ditor të ushtrisë ukrainase u tha se në 24 orët paraprake janë zhvilluar 82 përleshje ushtarake mes forcave të Kievit dhe forcave pushtuese ruse.
Forcat ukrainase “mposhtën ofensivën ruse dje në sektorin e Zaporizhjës”, duke shkatërruar 18 autoblinda dhe duke detyruar forcat ruse që të tërhiqen “në pozicionet e tyre të mëhershme”, u tha në buletin.
Ushtria ruse, në 24 orët paraprake, kreu 13 sulme me dronë, 104 sulme ajrore dhe 169 sulme me sisteme raketore, duke shënjestruar pozicione të trupave ukrainase, por edhe zonat e banuara, tha ushtria ukrainase.