Ushtria e Ukrainës ka rimarrë më shumë se 12 kilometra katrorë territor në Ukrainën jugore javën e kaluar në kundërofensivë kundër forcave ruse.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hana Maliar ka thënë se përparimet sollën rimarrjen e territorit që nga fillimi i kundërofensive në fillim të qershorit në më shumë se 192 kilometra katrorë në sektorin jugor.
Nga ana tjetër një ditë më parë presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se kundërofensiva kishte dështuar, por Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha se ishin ende “ditë të hershme” të kundërofensive ukrainase.
Në një video të regjistruar të shpërndarë nga zyra e Presidentit Volodymyr Zelensky , Maliar tha se forcat ukrainase vazhdojnë të avancojnë në disa zona drejt qytetit të Melitopol në jug të vendit dhe qytetit të Berdyansk, që ndodhet në Detin Azov.
Ndër të tjera ajo ka thënë se, fokusi i armiqësive është rreth qytetit të vogël Bakhmut, i cili u kap nga forcat ruse në maj pas muajsh luftimesh të ashpra. Forcat e Kievit vazhdojnë të përparojnë në krahët jugor të frontit në Bakhmut, por në veri, forcat ruse “po e mbajnë fort çdo centimetër dhe metër”, tha ajo.
Maliar ndër të tjera është shprehur se forcat ukrainase kishin rimarrë rreth 4 kilometra katrorë në atë drejtim gjatë javës së kaluar dhe luftimet kryesore po zhvilloheshin rreth fshatrave në jugperëndim të Bakhmut. Ushtria ukrainase tha në konferencën e saj ditore se në 24 orët e fundit ka pasur 35 përleshje në drejtimin lindor./abcnews.al