Ukraina rimerr disa zona në jug të vendit dhe zmbraps sulmet e Rusisë në lindje

schedule15:03 - 5 Maj, 2022

schedule 15:03 - 5 Maj, 2022

Ushtria e Ukrainës bëri të ditur të enjten se ka rimarë disa zona në jug të vendit dhe ka zmbrapsur sulmet e Rusisë në lindje. Njoftimi vjen ndërsa është rindezur beteja e përgjakshme në fabrikën e çelikut “Azovstal” që ndodhet në qytetin e Mariupolit, atje ku forcat ukrainase janë ngujuar në tunele e bunkerë, për t’u mbrojtur nga trupat ruse.

Ndërsa janë shënuar dhjetë javë prej fillimit të luftës Moska po has vështirësi të shënojë përparim në atë që njihet si qendra industriale në lindje të Ukrainës, në Donbas.

Rusia u përqëndrua në këtë rajon, ku separatistët e mbështetur prej saj kanë luftuar kundër forcave ukrainase për vite me radhë, pas një rezistence të fortë e të papritur ukrainase, që çoi në dështimin e planeve fillestare të Moskës për pushtuar kryeqytetin.

Në një intervistë të enjten për agjencinë e lajmeve “Associated Press” Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko tha se nuk e kishte pritur që ofensiva e Rusisë të zvarritej në këtë mënyrë.

Bjellorusia shërbeu si pikënisje për sulmin e 24 shkurtit për një pjesë të trupave ruse dhe zoti Lukashenko e mbështeti publikisht operacionin.

Nuk jam i përfshirë në këtë problem aq sa për të thënë nëse gjithçka po shkon sipas planit, sikurse thonë rusët, apo siç unë e ndjej“, tha udhëheqësi autoritar.

Ai shtoi se përdorimi i armëve bërthamore do të ishte diçka e papranueshme, por tha se nuk ishte në dijeni nëse Rusia kishte plane për t’i përdorur ato, ose jo.

Krahas sulmeve të ashpra me artileri në Donbas, forcat ruse vazhduan gjithashtu bombardimet ndaj stacioneve hekurudhore dhe objektivave të tjera në të gjithë vendin, që kanë për qëllim të bllokojnë furnizimin me armë nga Perëndimi, armë që kanë qenë thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës.

Ndërkohë Rusia u zotua sot të respektojë një armëpushim në qytetin e Mariupolit, ku forcat e saj kontrollojnë të gjithë qytetin, me përjashtim të fabrikës së çelikut.

Moska thotë se armëpushimi do të vazhdojë sërish të premten dhe të shtunën për të lehtësuar më shumë evakuime nga kjo zonë.

Në një fjalim të enjten herët në mëngjes, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se nevojitej një armëpushim i gjatë për të evakuuar civilët e mbetur në Mariupol.

Nevojitet thjesht kohë për të nxjerrë njerëzit nga bodrumet e vendstrehimet nëntokësore. Në kushtet aktuale, ne nuk mund të përdorim pajisje të rënda për të pastruar rrënojat. Gjithçka duhet të bëhet me dorë”, tha ai.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u shpreh skeptik rreth angazhimit të Rusisë për armëpushim./VOA