Autoritetet ukrainase thanë se nivelet e rrezatimit janë rritur në zonën e Çernobilit, që prej se kjo uzinë bërthamore u mor nën kontroll nga trupat pushtuese ruse.
Ekspertët në Agjencinë Bërthamore të Ukrainës thanë se nivelet e rrezatimit kanë ndryshuar për shkak të lëvizjes së pajisjeve të rënda ushtarake në atë zonë, duke ngritur në ajër pluhurin radioaktiv.
Uzina e Çernobilit, që është jashtë funksionit, u mor nën kontroll nga forcat ruse më 24 shkurt, pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Në një deklaratë të lëshuar më herët më 25 shkurt, Agjencia Bërthamore e Ukrainës tha se të dhënat nga sistemi i automatizuar i monitorimit në zonën e ndaluar përreth uzinës, treguan se ishin tejkaluar nivelet e rrezatimit.
Por, kjo agjenci tha se është e pamundur të dihen arsyet e këtij ndryshimi “për shkak të pushtimit dhe luftës në këtë zonë”.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) – organ i Kombeve të Bashkuara – tha se nivelet e rrezatimit nuk paraqesin ndonjë rrezik.
ANEB tha përmes një deklarate se nga leximet e autoritetit rregullator të Ukrainës “janë të ulëta dhe mbesin brenda intervalit operacional të matur në zonën e ndaluar, që prej se kjo zonë u krijua, dhe për këtë arsye nuk paraqesin ndonjë rrezik për publikun”.
Sipas ANEB, ekspertët ukrainas kanë thënë se raportimet për rritjen e nivelit të rrezatimit “mund të jenë shkaktuar pas lëvizjeve të makinave të rënda ushtarake që kanë ngritur pluhurin nga toka, e cila ende është e kontaminuar nga aksidenti i vitit 1986”.
Pas lajmit se uzina bërthamore e Çernobilit u mor nën kontroll nga trupat ruse, ANEB bëri thirrje që të shmangen veprimet që mund të vënë në rrezik ndërtesat bërthamore ukrainase.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka konfirmuar se kanë marrë nën kontroll Çernobolin, por ka thënë se nivelet e rrezatimit ishin normale në uzinën bërthamore.
Shpërthimi në një prej reaktorëve të këtij centrali bërthamor më 1986, kontaminoi pjesë të mëdha të Ukrainës dhe Bjellorusisë, që çoi në krijimin e një zone të ndaluar, që është rreth 2,600 kilometra katrorë.
Kjo uzinë, që ende është radioaktive, gjendet rreth 130 kilometra larg Kievit./REL