Ukraina nuk merr pjesë në Eurovizion, këngëtarja: S’jam kukull politike

schedule12:50 - 28 Shkurt, 2019

schedule 12:50 - 28 Shkurt, 2019

Këngëtarja ukrainase Maruv ka refuzuar të përfaqësojë vendin e saj në Eurovizion në muajin Maj në Tel Aviv. Ajo deklaroi se në këtë mënyrë refuzonte të ishte një kukull politike për Kievin.

Këtë vit Ukraina nuk do të marrë pjesë në Eurovizion. Televizioni shtetëror ukrainas bëri publik vendimin pasi fituesja e festivalit kombëtar, 27-vjeçarja Maruv, emri i artit të Anna Korsun, refuzoi një kontratë me televizionin që mes kushteve të tjera i kishte ndaluar që të performonte në Rusi, ku ajo kishte caktuar disa data koncertesh në pranverë në shkëmbim të pjesëmarrjes në Eurovizion.

Organizatorët e festivalit europian të muzikës u shprehën të keqardhur, dhe uruan që Ukraina të ishte pjesëmarrëse në edicionin e 2020-ës.

Televizioni ukrainas i kishte dhënë Maruv 24 orë kohë për të firmosur marrëveshjen. Artistja kishte pranuar të anulonte koncertet në Rusi, por nuk është arritur marrëveshja për kushtet e tjera të kontratës. Maruv deklaroi se nuk ishte e gatshme të luante rolin e kukullës politike për Kievin.

“Jam një qytetare ukrainase, paguaj taksat dhe e dua sinqerisht Ukrainën. Por nuk jam e gatshme të hedh parulla apo të transformoj pjesëmarrjen time në konkurs  në një aktivitet pormovues për politikanët tanë,” deklaroi këngëtarja.

Televizioni shtetëror ukrainas kërkoi një zëvendësues. Por dhe banda Freedom Jazz, e dyta në festivalin kombëtar, dhe trio Kazka, që mori vendin e tretë, refuzuan të zëvendësonin Maruv në Eurovizion që do të mbahet në muajin maj në Tel Aviv.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar ndjeshëm në 2014-ën, kur Moska aneksoi Krimenë dhe shpërtheu konflikti në Donbass mes trupave ushtarake ukrainase dhe militantëve separatistë të mbështetur nga Kremlini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!