Ukraina, një arsenal i demokracisë në Europë

schedule09:26 - 23 Qershor, 2022

schedule 09:26 - 23 Qershor, 2022

Nga Alexander Motyl dhe Dennis Soltys, euobserver

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Pika e dytë në agjendën e Këshillit Europian për samitin e tij të 23-24 qershorit në Bruksel renditet thjesht si “Ukraina”. Këshilli do të diskutojë për dhënien e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, në atë që kryetari i komisionit për punët e jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister e ka quajtur “një shenjë të qartë politike solidariteti me popullin e Ukrainës”.

Disa anëtarë të BE nuk kanë rënë dakord me vendimin e parlamentit, duke kërkuar për një procedurë të zgjatur anëtarësimi. Kundërshtarët në përgjithësi argumentojnë në lidhje me kërkesat e ndërlikuara të përcaktuara në acquis communautaire, trakti kumulativ i ligjeve dhe rregulloreve të BE-së që vendet kandidate duhet të përmbushin.

Kundërshtarët anashkalojnë faktin e qartë se BE-ja gjithmonë i mbështet vendimet e saj edhe në politikë. As Rumania dhe as Bullgaria nuk ishin aq më në përputhje me acquis sesa Ukraina kur u pranuan në BE.

Dhe një sërë vendesh, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, paturpësisht zgjeruan kufijtë e politikës monetare dhe fiskale në mënyrë që të kualifikoheshin për në Eurozonë.

Me pak fjalë, nëse BE-ja dëshiron, ajo mund të ndjekë lehtësisht këshillat e McAllister.

Megjithatë, duke ndërmarrë këtë hap, BE-ja do të bënte më shumë sesa t’i bënte një favor Ukrainës. Ajo gjithashtu do të përmirësonte ndjeshëm përmbajtjen e saj demokratike, raporton abcnews.al.

Edhe pse vështirë se është e pa të meta, Ukraina është jashtëzakonisht demokratike, ndoshta më shumë se disa anëtarë të rregullt të BE-së dhe mund të kontribuojë në një rigjallërim demokratik brenda BE-së.

Një europian, Alexis de Tocqueville, në 1835 botoi klasikun e tij Demokracia në Amerikë. Atij i bëri përshtypje ikonoklazma e shoqërisë amerikane pas-revolucionare, idealizmi, fryma e egalitarizmit dhe aktivizmi i shoqërisë civile.

Ukraina e sotme demonstron mjaft nga virtytet amerikane që Tocqueville admironte. Duke iu rikthyer Revolucionit të Ukrainës në Granit, në të cilin studentët ngritën një qytet me tenda proteste në Kiev në vitin 1990, Revolucioni Portokalli i 2004/05, Revolucioni i Dinjitetit i 2014 dhe tani rezistenca ndaj pushtimit rus, të gjithë janë angazhuar për pavarësinë kombëtare, ndihmën e ndërsjellë dhe paketën standarde europiane të institucioneve politike dhe të drejtave të njeriut.

Shoqëria ukrainase ka manifestuar një unitet kombëtar çuditërisht të fortë. Kjo kërkon një perspektivë historike për shpjegim. Pasi principata e Kievit e Rusisë (Ruthenia, jo Rusia) u plaçkit nga Mongolët në 1240, tokat ukrainase u ndanë dhe  luftuan me Poloninë dhe Rusisë, ndërsa gjithashtu iu nënshtruan sulmeve të skllevërve nga perandoria osmane.

Në shekullin e 17-të, u formua shteti i kozakëve me qendër në rajonin e Dnipro-s, të cilët kishin një shoqëri mjaft të urbanizuar dhe të shkolluar.

Dy gjëra janë të rëndësishme këtu.

Së pari, shteti kozak ishte multietnik dhe gjithëpërfshirës, ​​padyshim sipas standardeve të kohës, duke pranuar në radhët e tij fshatarë që iknin nga pronarët polakë, bujkrobër që iknin nga autokracia  dhe të tjerë të ndryshëm nga të gjitha pjesët e Europës dhe rajonit të Detit të Zi.

Së dyti, kjo ishte një shoqëri kufitare, në të cilën njerëzit fituan instinktin për liri dhe mbështetje te vetja, i cili nuk u eliminua kurrë plotësisht edhe gjatë dekadave më të errëta të sundimit sovjetik. Shteti kozak është paraardhësi i drejtpërdrejtë i Ukrainës tashmë të pavarur.

Një faktor i tretë i dukshëm është se lëvizjet për pavarësinë e Ukrainës ishin gjithmonë të varfëra për sa i përket burimeve, në krahasim me shtetet fqinje të krijuara; për rrjedhojë, lëvizjet përgjithësisht kushtëzoheshin për të kërkuar aleatë socialë përmes politikës gjithëpërfshirëse.

Ky kontakt me aleatët e mundshëm social mbizotëroi gjatë gjithë epokës disidente të viteve 1950 deri në vitet 1980 dhe dha fryt në referendumin e vitit 1991, kur 91 përqind e popullsisë nga të gjitha shtresat shoqërore votoi për pavarësinë kombëtare, raporton abcnews.al.

Sa herë që qeveritë e Ukrainës kishin fuqi të mjaftueshme për të marrë përgjegjësinë për territoret e tyre, marrëdhëniet ndëretnike përmirësoheshin, siç është rasti aktualisht. Laicizmi politik i publikut u shfaq kohëve të fundit në zgjedhjen dërrmuese të hebreut etnik Volodymyr Zelensky si president në vitin 2019.

Ukraina është një shoqëri shumë pluraliste, pa asnjë kategori të vetme sociale ose rajonale që mund të zbatojë vullnetin e saj mbi të tjerët. Aspekti pozitiv i kësaj është se demokracia në fakt po funksionon ashtu siç duhet, sepse shoqëria e vendit tani është shumë e bashkuar rreth vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ekziston një tabu në mesin e aspirantëve politikë për përmendjen e përkatësisë etnike ose fetare të kandidatëve rivalë, sepse supozohet se të gjithë janë qytetarë besnikë, përveç nëse vërtetohet ndryshe. Në kohën e tij, Revolucioni i Dinjitetit përbënte demonstratën më të madhe pro Bashkimit Europian në histori. Shoqëria ukrainase vazhdon të demonstrojë idealet qytetare që Tocqueville admironte, raporton abcnews.al.

Çuditërisht, qytetarët në nivel individual kanë tejkaluar psikologjikisht apatinë dhe cinizmin e prodhuar nga zakonet sovjetike; dhe në nivel kombëtar qytetarët kanë qenë në gjendje të arrijnë besimin ndër-grupor dhe veprimin kolektiv, ku çdo grup qytetar, dhe tani çdo rajon i pushtuar nga Rusia, kontribuon në mbrojtjen kolektive.

Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të ringjallte institucionet e lodhura të Europës, do të trajtonte deficitin demokratik të Bashkimit dhe do t’u ofronte të rinjve europianë një model demokracie në veprim.

Në frymën e Tocqueville, Amerika është quajtur “një arsenal i demokracisë” në Botën e Re.

Bashkimi Europian tani mund të ndihmojë Ukrainën dhe veten të bëhet një arsenal i demokracisë brenda Botës së Vjetër.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!