Ukraina në gatishmëri, përgatit kundërpërgjigjen ndaj Rusisë

schedule08:20 - 1 Shkurt, 2023

schedule 08:20 - 1 Shkurt, 2023

Ukraina po përgatitet që të zmbrapsë ofensivën e re të mundshme ruse, deklaroi sot kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes (RNBO).

“Udhëheqja ushtarako-politike e Ukrainës është e vetëdijshme për të gjitha kërcënimet dhe sfidat, dhe ne po përgatitemi t’i japim një kundërpërgjigje të fuqishme një ofensive të mundshme nga Federata Ruse”, citohet të ketë thënë Oleksiy Danilov në një deklaratë të RNBO-së.

Ai ka thënë se presidenti Volodymyr Zelensky çdo ditë ka zhvilluar bisedime me zyrtarë të huaj për ndihmë ushtarake.

“Kjo është një sfidë për ne, por ne do ta përballojmë… 24 shkurti i vitit të kaluar ishte shumë më i vështirë. Ishim ballë për ballë me vendin agresor. Askush nuk besonte në aftësinë tonë për t’i bërë ballë goditjes. Tani situata është krejtësisht ndryshe”, ka theksuar ai.

Lidhur me mobilizimin në Ukrainë, Danilov ka thënë se procesi ka vijuar “në një mënyrë të qetë dhe të matur”. Ai gjithashtu ka paralajmëruar për rritjen e propagandës ruse që ka për qëllim diskreditimin e udhëheqjes dhe ushtrisë ukrainase.

“Inteligjenca jonë paralajmëron se niveli i operacioneve informative dhe psikologjike … do të rritet në mënyrë eksponenciale. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm… Kjo është një sfidë për gjithë botën, jo vetëm për Ukrainën”, ka shtuar Danilov.