Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka dhënë miliarderit amerikan Elon Musk “Urdhrin e Lirisë”, nderimi më i lartë i Ukrainës për shtetasit e huaj, sipas një dekreti të publikuar sot në faqen zyrtare të presidencës.
Dhënia e këtij nderimi vjen në një kohë kur Kievi po kërkon autorizim, që sistemi satelitor i internetit “Starlink”, i kompanisë së Musk, të përdoret në operacionet e dronëve ukrainas në territorin rus.
“Urdhri i Lirisë i jepet Elon Musk – sipërmarrësit, inxhinierit dhe drejtuesit të SpaceX dhe Tesla, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në dekret.
Sipas presidencës ukrainase, çmimi i jepet Musk për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e jetës dhe lirisë së njerëzve, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes popujve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dronët ukrainas të pajisur me internetin “Starlink”, mund të drejtohen drejt objektivave në kohë reale, përmes një lidhjeje me video.
Aktualisht, përdorimi i këtij sistemi është i autorizuar vetëm në territorin e Ukrainës, përfshirë edhe zonat e pushtuara nga Rusia.
Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus, prej më shumë se katër vitesh e gjysmë./


