Ukraina merr premtime për më shumë se 300 tanke

schedule17:30 - 28 Janar, 2023

schedule 17:30 - 28 Janar, 2023

Vadym Omelchenko, ambasadori i Ukrainës në Francë tha se vendi i tij ka marrë nda disa vende premtime për dërgimin e 321 tankeve ushtarakë, por nuk specifikoi se sa është numri i tankeve që do të dërgojë secili vend. Polonia do të dërgojë në Ukrainë shumë më tepër tanke luftarakë nga sa kishte njoftuar më parë. Përveç 14 tankeve të tipit Leopard të prodhuara në Gjermani dhe të premtuara tashmë nga Varshava, Polonia është e gatshme të dorëzojë edhe “60 tanke të modernizuara” tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki në stacionin televiziv kanadez CTV News.

Morawiecki tha se 30 nga tanket shtesë të rezervuara për Ukrainën janë të modelit PT-91, një version i modernizuar i tankeve sovjetike T-72. Kurse për 30 tanket e tjera kryeministri polak nuk dha asnjë informacion. Gjermania ka njoftuar se do të dërgojë në Ukrainë 14 tanke Leopard 2.

Pasi Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore ranë dakord për ta furnizuar Ukrainën me tanke luftarake, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski kërkoi ndër të tjera edhe avionë luftarakë.

Jo avionë luftarakë nga Gjermania në Ukrainë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se nuk pret që Gjermania do të dërgojë në Ukrainë avionë luftarakë megjithë kërkesat nga Ukraina. “Unë mendoj se për një gjë të as që mund të bëhet fjalë,” tha ai për gazetën Süddeutsche Zeitung. Avionët luftarakë janë sisteme shumë më komplekse se tanket dhe kanë një rreze dhe fuqi zjarri krejtësisht të ndryshme.

Në një rast të tille ne do të futeshim në dimensione lidhur me të cilat unë aktualisht do të isha i kujdeshëm, tha  ministri gjerman i Mbrojtjes. Edhe kancelari Olaf Scholz e ka përjashtuar dërgimin e avionëve luftarakë.

SHBA nuk përjashton dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë

Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit të SHBA Joe Biden, Jon Finer, tha në MSNBC, se SHBA nuk përjashton dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë Sipas njoftimeve të mediave edhe Franca po e konsideron gjithashtu dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë. Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki tha se do të mbështeste NATO-n nëse vendos ta furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë. NATO-ja duhet të jetë më e guximshme, tha ai për radiostacionin francez LCI./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!