Pavarësisht premtimeve për një armëpushim energjetik, Ukraina është zgjuar në një makth të vërtetë blackout-i që ka paralizuar kryeqytetin dhe qytete të tjera të mëdha, sipas “Kyiv Independent”.
Ajo që duhej të ishte një ditë e qetë, pas dakordësisë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, u kthye në një kaos total që në orët e para të mëngjesit – kur Kievi mbeti pa energji elektrike, pa semaforë dhe me metronë e bllokuar.
Situata u rëndua më tej kur u ndalën sistemet e ngrohjes qendrore në temperatura që shënojnë minus 15 gradë Celsius, ndërsa mungesa e ujit dhe energjisë përfshiu me shpejtësi qyetetes si, Kharkivi, Zhytomyri dhe Odesa.
Efekti zinxhir preku madje edhe Moldavinë e Rumaninë, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemet kompjuterike në pikat kufitare.
Edhe pse gjatë natës Rusia lëshoi rreth 85 dronë pa goditur drejtpërdrejt rrjetin, autoritetet ukrainase sqaruan se bëhej fjalë për një defekt të rëndë teknik që kishte shkaktuar shkëputjen e linjave me vendet fqinje.
Inxhinierët vendas theksojnë se katër vite bombardime të vazhdueshme i kanë dobësuar aq shumë centralet dhe rrjetin e shpërndarjes, saqë kolapse të tilla janë tashmë të pashmangshme.
Ndërkohë që defektet u riparuan gjatë mbrëmjes, frika mbetet e madhe pasi në mesnatë përfundon afati i armëpushimit të premtuar dhe bombardimet mund të rifillojnë, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmëroi për rreziqe në centralet e dëmtuara nga lufta.


