Ukraina, kriza ekonomike dhe lufta e brendshme për pushtet:Dimri i gjatë që e pret Rusinë

schedule11:51 - 20 Shtator, 2022

schedule 11:51 - 20 Shtator, 2022

Nga Andrea Muratore “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Vjeshta po troket, dimri po afrohet, dhe më shumë probleme po shfaqen në horizont për  Rusinë, pas kundërsulmit të suksesshëm të ushtrisë ukrainase 200 ditë pas nisjes së pushtimit të Moskës në vendin fqinj. Kundërofensiva ukrainase në lindje krijon skenarë kompleksë.

Këtë herë Moska e sheh veten në anën e sulmuesit që detyrohet të tërhiqet dhe jo të mbrojtësit të fortë gjatë vjeshtës dhe dimrit. Në vitin 1812 kundër Napoleonit dhe në vitin 1941 kundër Gjermanisë naziste “Gjeneral Dimri” ishte në favor të Rusisë, duke e ngrirë frontin, dhe duke i vënë shumë në vështirësi pushtuesit.

Sot objektivi i Rusisë është të ndalë kundër-ofensivën e Ukrainës, dhe të arrijë një sukses të madh, përpara se balta dhe akulli të bllokojnë çdo lloj perspektive për përparim në front.

Por de-motivimi, mungesa e freskisë së trupave ruse, si dhe armatimet shumë cilësorë të ukrainasve rrezikojnë ta bllokojnë në vend Rusinë, e cila gjatë sezonit të ftohtë të vitit nuk mund të rifillojë më iniciativën në fushën e betejës. As skenari që premton të ndodhë brenda federatës ruse nuk do të jetë më i miri.

Sigurisht as për Vladimir Putinin  dhe rrethin e tij të ngushtë në pushtet, dhe as për diplomacinë e një vendi që ndodhet në një izolim të rrezikshëm, i shkëputur nga Evropa

dhe Shtetet e Bashkuara si partner, dhe i trajtuar nga këta të fundit si një rival ekonomik, që synon të zhvillojë një luftë nervash dhe të ndërmarrë ndëshkime reciprokisht të dëmshme.

Një luftë në të cilën edhe arma e fundit që mund të përdorë Rusia, bllokimi i furnizimeve me energji të Evropës, rezulton sipas të dhënave më të fundit se është çdo gjë tjetër veçse jo e favorshme për ekonominë e vendit, që tashmë është detyruar të zhbëjë sufiçitin e vet tregtar.

Dhe në përgjithësi, situata do të jetë e vështirë edhe për popullatën ruse, nëse dëmtimi i sistemit kombëtar si pasojë e sanksioneve, do të vazhdojë sikurse parashikojnë Banka Botërore dhe FMN. Agjencia Ruse e Statistikave, ka publikuar të dhënat për periudhën janar-qershor 2022, duke vënë në dukje se prodhimi industrial në qershor ra me 1.8 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, ndërsa qarkullimi i transportit ra me 5.8 për qind. Vëllimi i tregtisë me pakicë ra me gati 10 për qind. Inflacioni ishte 15.9 për qind. Të ardhurat reale të popullsisë ranë me 0.8 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2021.

Skenari për vendin e drejtuar nga Vladimir Putin, bëhet edhe më i ndërlikuar për shkak të naconalistëve të ekstremit të djathtë që po i bëjnë presion Kremlinit për të urdhëruar  mobilizimin e përgjithshëm të trupave ushtarake, dhe për të zyrtarizuar shpalljen e luftës ndaj Ukrainës.

Kjo perspektivë duhet të konsiderohet aspak e largët. Ajo do të jetë shumë problematike për të gjithë arkitekturën e konsensusit që ka ngritur Putin, që ka frikë se retorika kundër luftës do të përhapet në qytetet kryesore, sidomos në Moskë dhe Shën Petersburg, qytetarët e të cilëve deri tani janë kursyer përgjithësisht nga përfshirja në fushatën ushtarake në Ukrainën Lindore.

Por Rusia mund të tentojë një zgjidhje alternative, siç është një mobilizim në rritje i aparatit industrial për luftë, i kombinuar me refuzimin për ta mobilizuar popullsinë në përgjithësi.

Në Këtë këndvështrim, kthimi i trupave ukrainase në kufijtë midis 2 vendeve do të krijonte perspektivën e sulmeve hakmarrëse, që mund ta dëmtojnë moralin e popullatës ruse.

Manovra të këtij lloji priten në rastin e mobilizimi total. Prandaj ka më shumë gjasa të shohim një ekonomi në gjendje lufte, në të cilën Rusia mund të këmbëngulë në shfrytëzimin e vetë-mjaftueshmërinë së saj në energji dhe ushqime, për një zhvendosjeje të mëtejshme drejt industrisë së mbrojtjes.

Në shumë sektorë, ky ri-orientim industrial është tashmë një realitet. Fshehtësia rreth prodhimit të pajisjeve ushtarake, nuk e ka fshehur plotësisht ndikimin që ka filluar të ketë në prodhim. Bloomberg shkruan se “prodhimi i produkteve të gatshme metalike” u rrit me gati 30 për qind në korrik krahasuar me një vit më parë, pas rënies së madhe disa muaj më parë.

Ndërkohë Janis Kluge, analist i ekonomisë ruse në Institutin Gjerman për çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë në Berlin, vlerëson se shpenzimet e mbrojtjes në 7 muajt e parë të vitit ishin rreth 20 miliardë dollarë më të larta sesa në vitin e kaluar. E gjithë kjo gjeneron PBB, por jo siguri.

Për më tepër, orientimi i gjithë industrisë tek lufta në Ukrainë, do të hiqte nga popullsia kuotat e prodhimit dhe importit të mallrave të konsumit, nga të cilat Moska nuk i ka privuar deri më sot qytetarët rusë. Pabarazitë e mëdha socio-ekonomike në vend, dhe natyra agresive e sanksioneve perëndimore, ka bërë që shumë analistë të mendojnë se Rusia do të binte në kolaps pas sanksioneve të forta të SHBA-së dhe BE-së ndaj ekonomisë së saj.

Kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot. Por nuk është e pamundur që një luftë e zgjatur dhe recesioni, sidomos nëse shoqërohet nga faza të tjera komplekse si ajo e tanishme, mund të dobësojë fuqinë e Putinit.

Ditët e fundit, është rikthyer me forcë retorika mediatike, analitike dhe spekulative mbi fundin e epokës së Putinit, e përshpejtuar nga një disfatë e mundshme për shkak të kundërsulmit të Ukrainës. Deri më sot, të gjitha parashikimet mbi këtë temë nuk janë vërtetuar.

Por që nga fillimi i luftës në shkurt, pozita e Putinit në Kremlin ka qenë gjithnjë e më e diskutueshme, dhe një stanjacion apo disfatë e reja në frontin ukrainas do të çonte në një tërheqje të pashmangshme. Nga njëra anë, Medvedev-ët, Kadirov-ët dhe “skifterët” e tjerë ndërhyrës dhe luftënxitës.

Në anën tjetër, elita liberale e Nabiullina, Novak, Sechin. Midis të dyve janë drejtuesit e shërbimeve më të kontestuara, si SVR,  ushtarakë pragmatikë apo diplomatikë si Sergej Lavrov, që mund të udhëheqin një lëvizje për të ndikuar në vendimin e Kremlinit mbi të ardhmen e luftës. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!