Ukraina fillon kundërsulmin në Zaporizhia

schedule17:33 - 8 Qershor, 2023

schedule 17:33 - 8 Qershor, 2023

Ushtria ukrainase ka nisur kundërsulmin e saj të shumëpritur kundër forcave ruse, raportoi rrjeti amerikan i lajmeve NBC News, duke cituar një zyrtar të lartë dhe një ushtar pranë vijës së frontit.

Pas muajsh përgatitjeje për këtë fushatë, e cila mund të rezultojë vendimtare në përpjekjen e Kievit për të rimarrë territoret e pushtuara, një valë sulmesh u zhvillua sot në vijat e frontit në juglindje. Tani Ukraina hyn në një fazë të re të luftës po përballet me pasojat nga shkatërrimi i digës hidroelektrike Kakhovka.

Qeveria ukrainase ka theksuar vazhdimisht se nuk do të ketë njoftim zyrtar për fillimin e operacioneve. Burimet e cituara nga NBC folën në kushte anonimiteti, ndërsa një zëdhënës i ushtrisë ukrainase nuk pranoi të komentonte.

Zyrtarët rusë dhe blogerët ushtarakë kanë dhënë alarmin prej disa ditësh, duke thënë se sulmet në rajonin e Zaporizhia janë intensifikuar papritur. Moska tha të hënën se kishte pasur një përpjekje për të thyer linjat e saj në juglindje. Zyrtarët ukrainas e kanë mohuar këtë pretendim, duke akuzuar Rusinë për gënjeshtra dhe duke këmbëngulur se nuk është nisur një kundërsulm.

Zaporizhia, një nga katër provincat pjesërisht të okupuara të Ukrainës, është parë prej kohësh si pika më e mundshme e fillimit për kundërsulmin. Megjithatë, Kievi duket se është përpjekur të fshehë synimet e tij, duke nisur sulme të shumta përgjatë gjithë vijës së frontit.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha më herët sot se “luftimet e ashpra vazhdojnë” përgjatë shumë zonave të frontit, ndërsa zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hana Maliar tha se “armiku ka shkuar në mbrojtje”.