Ukraina druhet për lodhje prej luftës në Perëndim

schedule08:01 - 21 Tetor, 2023

schedule 08:01 - 21 Tetor, 2023

Presidenti i SHBA, Joe Biden ka premtuar të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa është e nevojshme”. Kancelari gjerman Olaf Scholz i bëri jehonë kësaj deklarate, e cila u përfshi edhe në komunikatën përfundimtare të samitit të fundit të NATO-s.

Por që nga sulmi terrorist i Hamasve kundër Izraelit më 7 tetor, është shfaqur një krizë e re ndërkombëtare që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik global. Dhe konflikti në Lindjen e Mesme mund të lidhë burimet e atyre që mbështesin veçanërisht Ukrainën, për shembull, SHBA.

Nga kjo do të përfitonte Rusia. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski së fundmi u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të mos e ndërpresin mbështetjen e tyre, duke deklaruar se Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë situatën në Lindjen e Mesme.

Si do të ndikojë konflikti mes Hamasve dhe Izraelit në luftën në Ukrainë

Sigurisht, SHBA mund të përballen me të dyja krizat njëkohësisht, ishte përgjigja e Bidenit ndaj pyetjes së një gazetari, duke shtuar: “Nëse nuk e bëjmë ne, kush do ta bëjë?” Bideni, megjithatë, është në mosmarrëveshje me republikanët në vend, të cilët duan të shkurtojnë ndihmën për Ukrainën. Në çdo rast, me kaosin që mbretëron aktualisht në Kongres, tani për tani nuk do të arrijnë më para të reja në Ukrainë.

Politologu Johannes Varwick i Universitetit të Halle-s beson se vëmendja qe zhvendosur në SHBA shumë kohë përpara se të shpërthente kriza e fundit në Lindjen e Mesme. Ka “konkurrencë për vëmendje dhe burime. Nuk mendoj se lojtarët kryesorë do të ndalojnë së mbështeturi Ukrainën tani, por përparësitë do të ndryshojnë,” tha ai për DW.

Mbështetja dobësohet edhe në Evropë

Solidariteti me Ukrainën është gjithashtu në rënie në Evropë. Qeveria polake kërcënoi përkohësisht se do të pezullonte dërgesat e armëve, e zemëruar nga importet e lira të grurit ukrainas. Sllovakia, e cila deri tani ishte gjithashtu një mbështetëse e fortë e Ukrainës, së fundmi ka parë fitoren elektorale të Robert Ficos, i cili gjatë fushatës së tij premtoi se nën udhëheqjen e tij Sllovakia nuk do ta furnizonte me “asnjë të shtënë municioni” Ukrainën, ndërsa bëri thirrje për marrëdhënie më të mira me Rusinë. Hungaria nuk i pranoi kurrë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe vazhdon të blejë gaz rus. Kryeministri Viktor Orban po përpiqet gjithashtu në mënyrë aktive të bllokojë BE-në që të sigurojë ndihmë të mëtejshme financiare për Ukrainën.

Në Perëndim në tërësi, “mbështetja për Ukrainën tashmë është zbehur, kohezioni po shkatërrohet, zërat po rriten duke bërë thirrje për një “paqe të diktuar'”, ku një Ukrainë më e dobët do të detyrohej të pranonte kushtet e vendosura nga një Rusi më e fortë, tha eksperti i politikave dhe deputeti konservator Roderich Kiesewetter për DW. Ndërsa Roman Goncharenko i seksionit ukrainas të DW tha gjithashtu së fundi për programin “To the Point” të DW: “Ka zhgënjim në Ukrainë që Perëndimi është lodhur”.

A është e mundur një fitore ushtarake ukrainase?

Dorëzimi i armëve perëndimore i ka lejuar Ukrainës që në mënyrë të përsëritur të arrijë sukses të kufizuar ushtarak në kundërofensivat e saj, por deri tani asnjë përparim nuk është materializuar.

Edhe një herë, Presidenti Zelenski i kërkon Perëndimit armë, si avionë luftarakë. Nga Gjermania ai kërkon raketa Taurus. Por kancelari Scholz nuk është i gatshëm t’i japë ato. Dhe një shumicë prej 55% e gjermanëve të anketuar së fundmi nga instituti demoskopik YouGov mbështesin vendimin e tij.

Por hezitimet e vazhdueshme janë pikërisht problemi, beson Kiesewetter: “Ofensiva çlirimtare po pengohet nga vetë Perëndimi, sepse po jep shumë pak, shumë vonë,” argumenton ai. “Një numër i mjaftueshëm i armëve superiore dhe precize mund të kthejë valën.”

Rusia pret kthimin e Trumpit

Kremlini, nga ana e tij, po luan me kohën, duke shpresuar që Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale të 2024-ës në SHBA dhe se kjo do të sjellë fundin e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën.

Për evropianët, kompensimi i kësaj humbjeje “thjesht nuk është i mundur në aspektin e përmasave”, thotë Johannes Varwick, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë pothuajse 50 miliardë euro vetëm ndihmë ushtarake, ndërsa Gjermania mbështetja e dytë më e rëndësishme, ka kontribuar me rreth 12 miliardë euro.

“Nëse SHBA ndalon ose redukton masivisht mbështetjen e saj, Ukraina do të ketë një problem që evropianët nuk do të jenë në gjendje ta mbulojnë”, pranoi i dërguari i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell.

Ukraina refuzon marrëveshjen e paqes në këmbim të tokës

Lodhja nga lufta në Perëndim ushtron presion mbi politikanët dhe diplomatët që kërkojnë përfundimin e luftës përmes negociatave. Johannes Varwick beson se një paqe e negociuar është gjithsesi e pashmangshme. Në këtë proces, thotë ai, duhet të ketë gjithashtu negociata “për ndryshime territoriale në Ukrainë, për neutralitetin e Ukrainës”. “E gjithë kjo duhet të hidhet në tryezë sot dhe jo nesër. Në fakt, duhet të kishte ndodhur dje. Por tani është koha për të nisur ato iniciativa.”

Megjithatë, sipas Roman Goncharenkos të DW, një zgjidhje e bazuar në formulën “tokë për paqe” nuk do të kishte asnjë shans për t’u pranuar në Ukrainë: “Shumë gjëra kanë ndodhur, vuajtjet kanë qenë shumë të mëdha. Ky do të ishte një shpërblim për Rusinë. “/DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!