Ukraina dërgon forca të reja në front, Zelensky kërkon mbrojtjen e NATO-s

schedule16:52 - 30 Nëntor, 2024

schedule 16:52 - 30 Nëntor, 2024

Trupat e reja ukrainase po ridislokohen në rajonet e vijës së frontit të kërcënuar rëndë, në Pokrovsk dhe Kurakhove – ndërsa presidenti i Ukrainës tha se mund të pajtohej me një armëpushim nëse NATO binte dakord të mbronte zonat nën kontrollin ukrainas.

“Dislokimet e reja janë në përgjigje të avancimit rus në Ukrainën lindore”, njoftoi dje komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Oleksandr Syrskyi.

“Ata kanë për detyrë të pengojnë planet më të gjera të forcave ruse – të cilat shkojnë përtej këtyre seksioneve të vijës së parë”, tha Syrskyi në Facebook.

“Pokrovsk dhe Kurakhove, në skajin perëndimor të rajonit minerar dhe industrial të Donbasit, po përjetojnë betejat më të ashpra”, sipas raportit të Shtabit të Përgjithshëm.

Përtej tyre shtrihet një peizazh i madh që të çon në lumin Dnipro. Avancimi rus këtu mund të hapë rrugën drejt qyteteve kryesore si, Dnipro dhe Zaporizhia. Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë për më shumë se dy vjet e gjysmë.

Zelensky propozon mbrojtje me faza të NATO-s

Në frontin diplomatik, presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina mund të binte dakord për një armëpushim me Rusinë nëse NATO shtrinte mbrojtjen e saj në pjesët e vendit të kontrolluara nga Ukraina.

“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të marrim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë”, tha Zelensky në një intervistë për kanalin britanik “Sky News”.

“Një ftesë e NATO-s do të duhet ende t’i jepet Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai. Kushtetuta e Ukrainës nuk e lejon njohjen e territoreve të pushtuara nga Rusia.