Të paktën 7 të vrarë dhe mbi 40 të plagosur, ky është bilanci i viktimave si pasojë e një sulmi me dron nga Ukraina mbi një plazh në jugperëndim të Rusisë, sipas asaj që kanë raportuar autoritetet lokale.
Në mesin e 7 viktimave, 3 prej tyre janë fëmijë, thonë autoritetet ruse. Pamjet e publikuara kudo në rrjetet sociale tregojnë momentin kur droni ukrainas godet plazhin Gelendzhik pranë Detit të Zi.
Ukraina nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar mbi ngjarjen, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se sulmi besohet se kishte në shënjestër një bazë detare ushtarake ruse në Novorossiysk, rreth 40 kilometra larg vendit ku ndodhi sulmi.
Sulmi ndaj plazhit vjen vetëm pak orë pasi Ukraina goditi një depo të kompanisë më të madhe të shitjeve online në Rusi, Wildberries, rreth 180 kilometra në lindje të Moskës.
Ukraina ka deklaruar më herët se sulmet ndaj objekteve të tilla synojnë të dëmtojnë infrastrukturën që, sipas saj, mund të lidhet me furnizimin e ushtrisë ruse. Moska i ka mohuar këto pretendime.
Sulmet e Ukrainës vijnë pas një vale goditjesh ruse në Kiev përgjatë fundjavës, ku, sipas autoriteteve ukrainase, humbën jetën të paktën nëntë persona./abcnews.al


