Ukraina akuzon Rusinë për bllokim të marrëveshjes për drithëra

schedule21:31 - 1 Qershor, 2023

schedule 21:31 - 1 Qershor, 2023

Ministria e Rinovimit dhe Infrastrukturës së Ukrainës tha më 1 qershor se marrëveshja për eksportin e grurit, e ndërmjetësuar nga OKB-ja, është ndërprerë sërish sepse Rusia e ka bllokuar regjistrimin e anijeve në të gjitha portet e Ukrainës.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia e ndërmjetësuan Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi midis Moskës dhe Kievit në korrik të vitit të kaluar për të ndihmuar në zgjidhjen e një krize globale ushqimore të rënduar nga pushtimi i Ukrainës, një eksportues i rëndësishëm global i drithërave, nga Rusia, shkruan REL.

Rusia kishte rënë dakord në maj për një zgjatje dy-mujore të kësaj marrëveshjeje, por ka thënë se Iniciativa do të ndërpritet nëse nuk përmbushet një marrëveshje për eksportet ruse të grurit dhe plehrave.

“Qendra e Përbashkët Koordinuese në Stamboll (e cila mbikëqyr Iniciativën) ka njoftuar se është e pamundur të hartohet një plan inspektimi për 1 qershor për shkak të një refuzimi tjetër të pajustifikuar të delegacionit rus për ta regjistruar flotën e ardhshme për pjesëmarrje në Iniciativë”, tha ministria ukrainase në Facebook.

Ministria e Rinovimit dhe Infrastrukturës e Ukrainës tha se Rusia kishte regjistruar vetëm një anije hyrëse për inspektim në dy ditët e fundit dhe nuk kishte dhënë asnjë shpjegim për këtë veprim, për të cilën ministria tha se ishte një “shkelje e rëndë” e Iniciativës.

Rusia nuk i ka komentuar ende pretendimet e zyrtarëve ukrainas.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!