UEFA Development U-16: Shqipëria e nis me fitore, përmbys në fund Irlandën

schedule14:15 - 9 Prill, 2022

schedule 14:15 - 9 Prill, 2022

Shqipëria U-16 e ka nisur në mënyrën më të mirë turneun “UEFA Development U-16”, pasi ka mundur Irlandë e Veriut U-16 në ndeshjen hapëse me rezultatin 2-1. Një fitore e merituar për ekipin e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, që përveç fitores bëri edhe një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e zhvilluar në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Kombëtarja shqiptare U-16 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Amarildo Dervishaj, Albi Koleci, Adi Kurti, Egert Selmani, Aljon Damini, Klaus Kashari, Jordi Jaku, Glenis Belloj, John Jaku, Ersi Bode, Flavio Sulejmani.

Kuqezinjtë e nisën mirë ndeshjen duke krijuar volum loje dhe raste në portën e Irlandës së Veriut, por nuk arrijnë të zhbllokojnë rezultatin. Në një nga zbritjet e rralla miqtë arrijnë të kaojnë në avantazh në minutën e 15-të me O’Haran, që përfiton nga një pakujdesi e mbrojtjes dhe arrin ta dërgojë topin në rrjetë.

Shqipëria nuk dekurajohet, por reagon mirë dhe vë nën presion të vazhdueshëm irlandezo-veriorët teksa Sulejmani ka një rast mjaft të mirë, por ia mohon golin portieri kundërshtar. Në minutën e 45-të Kombëtarja shqiptare arrin të barazojë shifrat me anë të Jordi Jakut, që merr një pasim pas krahëve të mbrojtjes dhe me një gjuajtje të saktë arrin të shënojë golin e parë për kuqezinjtë.

Në pjesën e dytë Shqipëria U-16 vazhdon të luajë më mirë dhe të shfaqet rrezikshëm në portën e Irlandës së Veriut. Trajneri Bulku bën edhe disa zëvendësime që arrijnë t’i japin më shumë gjallëri lojës së kuqezinjve, derisa në minutën e 89-të Flavio Sulejmani arrin të realizojë një gol mjaft të bukur që i jep fitoren 2-1 Shqipërisë.

Shqipëri – Irlandë e Veriut 2-1
Golat:
45’ Jordi Jaku, 89’ Flavio Sulejmani / 15’ O’Hara

Shqipëria U-16: Amarildo Dervishaj, Albi Koleci, Adi Kurti, Egert Selmani (Frashëri 68’), Aljon Damini, Klaus Kashari (Krajka 57’), Jordi Jaku (Hajdari 86’), Glenis Belloj, John Jaku (Duro 68’), Ersi Bode (Bakiu), Flavio Sulejmani. Trajner: Ervin Bulku

Kjo ishte ndeshja e parë e turneut “UEFA Development U-16” për meshkuj, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 9 prill deri më 14 prill. Një kompeticion mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e futbollistëve të rinj, të cilën kanë mundësi të tregojnë vlerat dhe potencialin e tyre përballë rivalëve moshatarë nga vende të ndryshme të botës.

Përveç Shqipërisë U-16 në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Irlandës së Veriut, Perusë dhe Luksemburgut dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare.

Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më date 11 prill, me Shqipëri – Peru që zhvillohet në orën 11:00 dhe Irlandë e Veriut – Luksemburg në orën 14:00. Ndeshjet e fundit në grup luhen në datë 14 prill, me Shqipëri – Luksemburg në orën 11:00 dhe Peru – Irlandë e Veriut në orën 13:00. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!