Federata Shqiptare e Futbollit ka fituar të drejtën të organizojë dy turne europian “UEFA Development” të grupmoshës U-15 për vajza dhe djem. Të dy turnet do të zhvillohen në vendin tonë nën organzimin e FSHF-së në bashkëpunim me UEFA-n në periudhën shtator – tetor.
Turneu “UEFA Development” U-15 për vajza do të startojë në fundin e muajit shtator teksa veç ekipit tonë Kombëtar do të marrin pjesë edhe Kosova, Estonia dhe Maqedonia e Veriut. Të gjitha ndeshjet janë planifikuar të luhen në datat 30 shtator, 2 tetor dhe 5 tetor.
Ndërsa turneu “UEFA Development” U-15 për djem do të ngrejë siparin më datë 23 tetor dhe veç ekipit tonë Kombëtar do të marrin pjesë edhe Bosnje-Hercegovina, Ishujt Faroe e San Marino. Të gjitha ndeshjet janë planifikuar të luhen në datat 23, 25 dhe 28 tetor.
“UEFA Development” është një turne zhvillimor që i jep mundësinë futbollistëve dhe futbollisteve të vogla të masin forcat me bashkëmoshatarët e tyre dhe të tregojnë vlerat në fushën e lojës. /FSHF